Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dalë në një komunikim për situatën e krijuar nga moti i keq në vendin tonë, sidomos në zonën veriore dhe atë juglindore.

Gjatë orëve të fundit ka pasur reshje bore dhe në akset e Dajtit, por mjetet borëpastruese ndodhen në terren dhe aktualisht qarkullimi i mjeteve vijon pa asnjë problem.

Në Përrenjas-Librazhd, në Xhyrë, si pasojë e reshjeve shoqëruar me erë të fortë ka pasur rënie të një peme në trup të rrugës, e cila është hequr menjëherë.

Situata më e rënduar paraqitet në rajonin verior ku reshjet e borës kanë vijuar me intensitet teksa grupet e punës janë në terren me mjete dhe punëtorë për pastrimin e rruges dhe shpërndarjen e kripës.

Në Bypass-in e Qafë Murrizit për shkak të reshjeve të shumta të dëborës shoqëruar me stuhi dhe përdoruesve të mjeteve që nuk janë pajisur me goma dimri apo zinxhir kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve, por edhe të borëpastruesve.

Po punohet për spostimin e mjeteve nga trupi i rrugës për të lejuar borëpastrueset të vijojnë me pastrimin e rrugës.