Është pa diskutim një nga akset rrugore me infrastrukturën më të dëmtuar në bashkinë Durrës.

Përveçse duhet të presësh minuta të tëra i bllokuar në trafik për ta përshkuar atë, një makth më vete është amortizimi i asfaltit.

Po flasim për segmentin rrugor Shkozet – mbikalimi i Plepave, që këto ditë pushimesh verore është i mbingarkuar me automjete.

Ndërhyrjet në infrastrukturë janë domosdoshmëri, por duket se ato do të shtyhen në kohë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur muaj më parë tenderin për riveshjen dhe sistemimin e asfaltit në këtë aks kombëtar me vlerë limit 124 milionë lekë.

Siç duket edhe në dokumentet e tenderit, që po publikon “DurrësLajm”, Komisioni i Prokurimit Publik ka shpallur fitues më datë 15 gusht kompaninë AL-ASFALT, që ka ofruar 78.8 milionë lekë për realizimin e këtij investimi publik.

Por ankimimi i bërë nga një prej 17 operatorëve ekonomikë në garë do të kërkojë të tjera procedura shtesë, duke shtyrë kështu në kohë nënshkrimin e kontratës dhe fillimin e punimeve për sistemimin e asfaltit në këtë aks, ku përqendrohet thuajse i gjithë trafiku i automjeteve që lëvizin drejt jugut të vendit tonë.

Në jo pak raste bizneset që operojnë në këtë aks, por edhe tur-operatorët  kanë kërkuar ndërhyrje në infrastrukturë për të shmangur orët e gjata në trafik dhe amortizimin e mjeteve.

M.B.