Autoriteti Rrugor Shqiptar së bashku me IMT ka vazhduar aksionin në autostradën Tiranë-Durrës për bllokimin e të gjitha daljeve të bizneseve dhe banesave private në këtë autostradë.
Ky aksion, i cili ka nisur nga zona e Maminasit dhe po vijon në drejtim të qytetit bregdetar, konsiston në hapjen e kanaleve, që nuk lejojnë kalimin në autostradë dhe vendosjen e shiritit ndalues.
Edhe mesditën e kësaj të hëne, ishin të shumtë përfaqësuesit e bizneseve, që u mblodhën në shenjë proteste, por kjo gjë nuk e ndaloi aksionin.
Ndërsa refuzuan të prononcoheshin për mediat, pasi i druheshin ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga shteti, drejtuesit e bizneseve thanë jashtë kamerave se nuk janë kundër vendimit të qeverisë për të pasur rrugë me parametrat e duhura, por kërkojnë një rrugë dytësore në të cilën të kryejnë normalisht aktivitetin e tyre si biznese dhe familjarë.
Ndërsa deklaruan se nuk kanë marrë asnjë shkresë zyrtare, që t’i paralajmëronte në njëfarë mënyre për këtë aksion, ata theksuan se gjatë paradites kanë dërguar edhe një grup përfaqësuesish në ambientet e ARRSH-së në Tiranë, për t’i paraqitur kërkesat e tyre.
Ata thanë se dy janë kërkesat që i kanë parashtruar kësaj agjensie:
1. Të bëhet rrugë dytësore nga Vora deri tek Ura e Dajlanit
2.Të përcaktohen parametrat e hyrje-daljeve sipas standarteve rrugore dhe t’i lihet kohë për t’i rregulluar ato.
Për t’i bërë të hiqnin dorë nga rezistenca e tyre, policia operoi edhe me vënien e gjobave për automjetet e drejtuesve të biznesve, që qëllim të vetëm kishin moscënimin e aktivitetit të tyre, sidomos në prag të festave të fundvitit.
Kujtojmë se përgjatë kësaj autostrade janë mbi 1000 biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre me rreth 20.000 të punësuar.
K.Gj.





