Arsenali ka shfaqur interes për portierin shqiptar të Ajax-it, Diant Ramaj. Trajneri Arteta kërkon të përforcoj portën në merkaton e verës dhe i ka sytë te 22-vjeçari. 

Ramaj është me origjinë shqiptare dhe ka bërë mjaft emër kohët e fundit. Performancat e tij mbresëlënëse dhe potenciali i madh nuk kanë kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha.

22-vjeçari iu bashkua Ajaxit në fillim të sezonit të kaluar nga Jong Ajax dhe nuk ka ka kaluar momentet më të mira për shkak të formës së përgjithshme të ekipit. Gjigantët holandezë kanë pasur vështirësi dhe kjo ka prekur edhe 22-vjeçarin.

Pavarësisht se e ka mbajtur vetëm tri herë portën të paprekur në 21 paraqitje këtë sezon, Ramaj ka arritur t’i lërë përshtypje klubeve që po e ndjekin me vëmendje. 

Ai konsiderohet të jetë një perspektivë e madhe për të ardhmen dhe mund të ketë një luftë ofertash për të në verë.

Arsenali e ka monitoruar 22-vjeçarin, që ka luajtur me moshat e Gjermanisë, që nga ditët e tij në Eintracht Frankfurt dhe tani është gati të bëjë një lëvizje për shërbimet e tij. 

22-vjeçari është pikërisht lloji i portierit që Mikel Arteta dëshiron në sistemin e tij, pasi luan mirë me këmbë, është i shpejtë në linjën e tij dhe mund t’i ndihmojë ata të luajnë nga pas. 

Topçinjtë po e shikojnë atë si një zëvendësues të mundshëm për Aaron Ramsdale, i cili nuk është më i lumtur në klub shkruan “Football Transfers”.

Ndërsa Arteta ka folur për rëndësinë e të pasurit dy portierë të klasit botëror në ekipin e tij, Ramsdale nuk ka ndërmend të jetë rezervë dhe me shumë gjasa do të largohet në fund të sezonit.

Nëse Ramsdale largohet, Topçinjtë do të kërkojnë Diant Ramaj, të cilit i kanë mbetur më shumë se katër vjet në marrëveshjen e tij. Por, duke qenë se Ajax ka nevojë për fonde për të përforcuar skuadrën e tyre, ata mund të heqin dorë prej shërbimeve të tij për një tarifë prej rreth 15 milionë euro.