Rinovimi me trajnerin Arsene Wenger ishte vetëm hapi i parë i drejtuesve të Arsenalit për fillimin e një projekti fitues. Topcinjtë e Londrës kanë vendosur që këtë verë të mos kursehen në merkato pasi dëshirojnë të rikthehen menjëherë në Champions League aty ku do të mungojnë pas plot 20-vitesh por pse jo të rivalizojnë edhe për titullin në Premier League. Sipas L’Equipe, Arsenali me kërkesë të trajnerit Wenger po përgatit goditjen e madhe në merkaton e verës. Sipas të përditshmes franceze, klubi nga Emirates i ka ofruar Monacos plot 100 milionë Euro për të marrë shërbimet e talentit Kylian Mbappe. Për 18-vjecarin interesohet fuqishëm edhe Reali i Madridit me Los Blancos që janë dëshira e parë lojtarit për të vazhduar karrierën ndërsa mbetet disi më pas Manchester City.
Por me klubin merengues që po qëndron në vendnumëro, mes Mbappe dhe Realit është futur Arsenali që kërkon të bindë francezin të transferohet në ishull. Wenger sheh te 18-vjecari një miks të Ronaldo fenomenit dhe Thierry Henry-së dhe mendon se me afrimin në Londër të Mbappe do të blindonte sulmin e Arsenalit për vitet në vazhdim. Wenger në këto vite ka treguar se është një trajner që beson shumë te talentet e reja dhe me kalimin në Emirates, Mbappe nga një i ri me shumë klas mund të shndërrohej në sulmuesin më të mirë në Botë. Mbetet për tu parë se cila do të jetë zgjedhja e lojtarit por nuk do të ishte aspak cudi që Kylian Mbappen sezonin e ardhshëm ta shihnim duke mbajtur veshur fanellën e Arsenalit.