Teuta nuk e diskuton fitoren në përballjen me Kamzën, që do të zhvillohet të dielën në “Niko Dovana”. Në dy takimet e para kanë munguar golat, por loja që bregdetarët kanë aplikuar të jep shpresë për vijimësinë dhe në Durrës besimi është i madh. Arsid Kruja, i cili është kthyer në një element tepër të rëndësishëm për “Djemtë e Detit”, thotë se ka ardhur momenti që Teuta të marrë fitoren e parë, ndërsa ndalet te roli i tij ideal në fushë dhe shpalos objektivat.

Mungesa e golave – “Këtë sezon duhet të jemi më të qetë përpara portës dhe të shënojmë. Duhet të mësohemi të shënojmë për të fituar. Rastet nuk na kanë munguar, por efikasiteti po. Shpresoj që goli të vijë shpejt që të zhbllokohen edhe sulmuesit, pasi është tepër e rëndësishme për të fituar. Nëse Latif shënon në këtë ndeshje besoj se nuk do të ndalet më”.

Ndeshja me Kamzën – “Sigurisht, fitorja është objektivi i vetëm. Megjithatë një ekip si Kamza nuk duhet të nënvlerësohet kurrë, madje në Superiore asnjë ekip nuk duhet të merret lehtë. Duhet vlerësuar maksimalisht për të marrë rezultatin që ne duam”.

Pjesëmarrja në Evropë – “Duhet të luajmë si në dy ndeshjet e para dhe në këtë mënyrë do ta kemi më të lehtë për të arritur objektivat që kemi vendosur. Në futboll fati është shumë i rëndësishëm dhe shpresoj të jetë me në këtë sezon. Gjithsesi duke zhvilluar ndeshje si këto që kemi bërë deri tani besoj se do të arrihet me sukses kualifikimi në kompeticionet evropiane”.

Pozicioni ideal – “Jam aktivizuar në shumë pozicione, por kjo është diçka që e vendos trajneri. Unë jam gati për të dhënë më të mirën time gjithmonë kur më kërkohet, pavarësisht pozicionit. Roli im i preferuar është të luaj pas sulmuesit, por tani që po aktivizohem në krah nuk është problem, pasi kam luajtur edhe më përpara. E rëndësishme është që të jap gjithmonë më shumë se 100 % aty ku më aktivizon trajneri. Ai e vendos se ku do të luajë”.