10 përqind e nxënësve të klasave të pesta në vendin tonë janë analfabetë. Një vlerësim kombëtar, i mbështetur nga UNICEF, në katër lëndë kryesore i ka lënë në nivelin zero, ndërkohë që ka nxjerrë në pah se 60 përqind e nxënësve zotërojnë njohuri nën mesatare dhe vetëm 1 përqind e tyre janë shumë të mirë.

Rezultatet e testit sipas lëndëve paraqiten edhe më shqetësuese. Rreth 40 përqind e nxënësve nuk dinë të kryejnë veprime matematikore nga më të thjeshtat, ndërsa më shumë se 90 përqind e tyre nuk gjejnë dot kryefjalën në fjali. Raporti nxjerr në pah probleme që lidhen me aftësinë e të kuptuarit dhe të shprehurit, ndërsa mësuesit nuk i vënë aspak në situatë reflektimi, por vetëm në riprodhim të tekstit.

Pas kësaj panorame, Ministria e Arsimit dhe Sportit u shpreh se do të nisë analiza për të nxjerrë përgjegjësitë.

Vlerësimet më të larta në test për klasat e pesta i kanë marrë nxënësit në shkollat e Beratit, Dibrës dhe Shkodrës, ndërsa më të ulëtat ato në Lezhë dhe Kukës. Tirana vlerësohet për nivelin e nxënësve të klasave të treta.