29 nëntor 2015 – Përfundojnë me sukses provimin mësuesit e Tiranës. Rezultatet e testimit të përgatitur nga Ministria e Arsimit për aftësitë e tyre kanë rezultuar mbi mesataren, ndonëse nuk dihen ende se në cilat fusha niveli i njohurive të tyre ka qenë më i mirë apo më i dobët.

Burime të gazetën “Shqip” bëjnë me dije se nga 30 pikë që kishte provimi në total, pjesa më e madhe e arsimtarëve ka arritur të grumbullojë 19 pikë. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e tyre është vlerësuar mesatarisht, çka nënkupton se sa u takon aftësive të tyre për të komunikuar, si edhe për të menaxhuar rastet që mund të bëhen shkak për krijimin e konflikteve apo të tjera, mësuesit e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Tiranës janë të përgatitur.

Mirëpo, kjo mbetet vetëm një prej të dhënave përfundimtare të arritura nga IZHA, pasi zyrtarisht mësohet se institucioni përgjegjës është duke përpiluar të dhënat për sa u takon fushave dhe lëndëve në veçanti, për të dalë më pas me një raport të plotë final, i cili, siç edhe është premtuar, do të shërbejë si një panoramë për të vendosur se ku duhet ndërhyrë. Rezultatet e plota, që pritet të zbardhen në vazhdim, do të jenë për Ministrinë e Arsimit treguesit që do të përcaktojnë se në cilat fusha duhen ofruar trajnime për mësuesit.

Ndërsa nuk dihet ende se ku dhe në cilin qytet do të zhvillohet testimi i radhës. Madje, ka zëra që thonë se nuk është vendosur ende nëse do të zhvillohet apo jo provimi në rrethe, pasi ekziston një mundësi që të anulohet, ndonëse kjo e fundit nuk pranohet zyrtarisht nga Ministria e Arsimit.

/portali DurresLajm/