E dini se ku pihet kakaoja më e veçantë dhe më e shijshme në Durrës? Nëse jo, nxitoni të shkoni menjëherë te bar “6 Këndëshi” pranë pallatit të kulturës, do të provoni një shije të pakrahasuar dhe diçka është e sigurt: aty do të ktheheni sërish dhe me miq të tjerë për t’ua treguar edhe atyre.
Zonja Florinda Peti, apo Lida siç e njohin të gjithë klientët e saj, teksa na pret me filxhanë kakaoje që lëshojnë një aromë të mrekullueshme, në tavolinat e vendosura mes një oborri që të shplodh me qetësinë e gjelbërimin që ka, na tregon se si i lindi ideja për të krijuar këtë pije që askund tjetër nuk mund ta gjesh me të njëjtën shije.
Ajo e ofron si specialitet të lokalit të saj këtë pije prej plot 15 vjetësh. Lida na rrëfen se ka plot klientë dhe madje janë 5-6 shtetas italianë, që kur kthehen në Durrës, ndalojnë gjithnjë në barin e saj për të pirë vetëm një filxhan kakaoje që përgatitet me aq dashuri nga duart e saj.
Por cili është sekreti i kësaj kakaoje? Ajo nuk përgatitet si një kakao e zakonshme, por me konjak. Shija e ëmbël e kakaos dhe e qumështit, e ndërthurur me hidhtësinë e konjakut, e bën atë kaq speciale. Por ka diçka tjetër që nuk duhet lënë pa theksuar, e ai është konjaku shqiptar.
“Kur më lindi ideja që të krijoja një kakao të veçantë, e kam provuar me pije alkoolike të ndryshme, Metaxa, Ouzo, Vecchia Romagna, Disaronno, etj., por nuk rezultoi asnjëherë siç duhej. Konjaku i kantinës tonë është gjëja e duhur. Ai është njëshi”, thotë Lida për “DurrësLajm”.
“Kam pasur klientë që kanë hapur më pas lokalet e tyre, dhe më kanë kërkuar recetën, unë nuk ia kam mbajtur kurrë sekret. Madje u kam shitur edhe llojin e kakaos që përdor unë, e pas pak kohësh janë rikthyer e më kanë sjellë pjesën e mbetur të kakaos. Më kanë thënë: Është e kotë, nuk e bëjmë dot si ty!”, tregon Lida.
Ndonjëherë nuk është e nevojshme që të kesh vetëm përbërësit e duhur, duhet dashuria mbi të gjitha, thotë Lida, që i jep dhe shumë dashuri brenda kësaj pijeje, e jo vetëm asaj.
Lida e ka hapur bar “6 Këndëshin” prej 25 vjetësh, dhe për një çerek shekulli ajo e menaxhon së bashku me bashkëshortin. Edhe Gëzimi e përgatit shumë mirë kakaon me konjak, por Lida thotë me humor se ajo e bën më mirë se ai.
Lloji i qumështit që ajo përdor është pak i rrallë e ndonjëherë kur e gjen në supermarket, Lidës i duket sikur gjen Zotin. Nuk do që t’i zëvendësojë për asnjë moment këta përbërës.
“Kam pasur një parim gjatë gjithë këtyre 25 vjetvëe që punoj këtu: diçka që nuk e pëlqej vetë, nuk e tregtoj kurrë”, shprehet Lida.
Nuk ka ndonjë person që të ketë hyrë në atë bar dhe të ketë provuar kakaon speciale, e të mos e ketë pëlqyer.
“Të gjithë e kanë pëlqyer. Përveç atyre klientëve që nuk konsumojnë alkool, e kërkojnë thjesht pa konjak”. Me apo pa konjak, kakaoja është ndër pijet më të kërkuara në lokalin e Lidës dhe të Gëzimit.
Receta është e thjeshtë: kakao, qumësht dhe konjak. Por do duart dhe dashurinë e Lidës që të ketë këtë shije të pakrahasueshme.
Në këto ditë të ngrohta pranvere, një filxhan kakaoje mes gjelbërimit të pemëve dhe qetësisë që të ofron kopshti i këtij bari, është mënyra e duhur për të shijuar një pasdite me miq të mirë. Çfarë po prisni ende?
S.L.