Këtë vit në shumë shtete janë shënuar temperatura shumë të larta, edhe pas mbarimit të sezonit të verës. Sipas raportit më të ri nga ekspertë shëndetësorë, thonë mediat e huaja, temperaturat në rritje në Tokë mund të rrisin ekstremisht numrin e vdekjeve nga nxehtësia në vit.

Ekspertët këshillojnë që njerëzit duhet të edukohen më shumë mbi klimën. Në këtë raport të bërë publik pak kohë më parë, thuhet se temperaturat në ndryshim “po kërcënojnë themelet e shëndetit të njeriut”.

Po të marrësh statistikat e vdekjeve vjetore që lidhen me nxehtësinë, sheh një ndryshim drastik në periudha të ndryshme. Përshembull nga 2013-2022 ky fenomen negativ ka pësuar rritje 85% më shumë se në periudhën 1991-2000.

Sipas Grist, tokat e prekura nga thatësira kombinuar me nxehtësinë rrezikojnë 127 milionë njerëz në botë.

Studimi paralajmëron po ashtu se afërsisht 525 milionë njerëz të tjerë mund të cenohen nga mungesa e ushqimit për shkak të valës së nxehtit si dhe mund të përhapen viruse të ndryshme.

Theksohet në raport se mbinxehja e planetit tonë është nxitur kryesisht nga përdorimi i burimeve të pista të energjisë, si nafta, qymyri dhe gazi. “Që nga viti i kaluar, investimet në lëndët djegëse fosile u rritën dhe gjigantët e naftës dhe gazit zgjeruan më tej aktivitetet e tyre. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Parisit (në vitin 2015), bankat private rritën huadhënien e tyre për kompanitë e karburanteve fosile”, shkruhet më tej.

Sipas NOAA, temperaturat e Tokës janë rritur me një ritëm të përshpejtuar që nga viti 1981, dhe 10 vitet më të nxehta janë regjistruar pas 2010-ës.

Por sa kërcënohet shëndeti publik?

Një numër vendesh, qeveri lokale dhe kompani tashmë po ndërmarrin hapa për të reduktuar përdorimin e automjeteve me gaz ose kalimin në energji të pastër, si dielli dhe era.

Konferenca e 28-të e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Dubai nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor, vendosi të mbajë “Ditën e Shëndetit” më 3 dhjetor.

Ramon Lorenzo Luis Guinto,  drejtor i programit të shëndetit planetar shpreson që në konferencat e ardhshme të përfshihen në diskutime edhe profesionistë të fushës së shëndetit dhe të krijohen politika efektive.