3nentor 2015 – Humbjet gjithmonë sjellin zhgënjim dhe pakënaqësi te tifozët e një skuadre dhe natyrisht që humbja në fushën e vet e Nantes ndaj Olimpique të Marsejës nuk ka lënë shije të mirë te mbështetësit vendas. Mirëpo një prej tyre nuk e ka përtypur dot humbjen duke arritur deri aty sa të sulmojë mbrojtësin shqiptar Lorik Cana, pamje të cilat i pamë të gjithë në video. Por pse pikërisht Cana?

Mësohet se tifozi në fjalë e ka pasur inatin veçanërisht me Canën për respektin dhe dashurinë e tepërt treguar ndaj Marsejës pasi kapiteni kuqezi është shprehur se do të donte të shkonte te Olimpique por ky ekip u vonua dhe prandaj përfundoi te Nantes, pra zgjedhje e parë për Canën ishte pikërisht skuadra marsejeze. Në replikë e sipër Cana i është kthyer tifozit të acaruar që nuk pushonte duke e sharë, duke i thënë se “…duhej të shkonte të vizitohej, pasi nuk ishte mirë nga trutë”. Më pas kanë ndërhyrë punonjësit e stadiumit duke nxjerrë tifozët ndërkohë që shokë të ekipit janë munduar të qetësojnë Canën por pa shumë sukses. Cana vazhdon të ketë një popullaritet të madh në Marsejë që nga koha kur vishte fanellën e këtij ekipi vite më parë.

/portali DurresLajm/