3 dhjetor 2015 – Një ndërtim dykatësh mbi pallatin ku banon vetë, u bë shkak që Arta Dade të kuptojë se Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është në anën e banditëve dhe jot ë qytetarëve. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Arta Dade nuk mori përgjigjen që donte nga Tahiri, kur iu ankua për një banor që kishte ndërtuar dy kate mbi pallatin e saj, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”.

“Në studion time, sa herë bie shi duhet të vë legen të pres ujin. Ky zotëri po dhunon banesën time”, mësohet të jetë shprehur Dade, gjatë mbledhjes. Sipas saj, bëhet fjalë për një person që është edhe mik i Tom Doshit dhe sponsor i fushatës së PS-së në Shkodër.

“Ka më shumë se një vit që kemi bërë ankesë në organet e policisë për një njeri që ka ardhur nga Velipoja, ka ndërtuar në tarracën e pallatit pranë parlamentit, ku banoj unë, dhe qytetarë të tjerë, të cilët më trokasin në derë. Kam kërkuar ndihmën e policisë të sqarojë këtë çështje, dhe nuk ka ardhur njeri. Kam kërkuar ndërhyrjen e INUK-ut dhe drejtoresha nuk hap telefonin. Zoti ministër, a mund të më japësh një sqarim lidhur me këtë shqetësim, që nuk është vetëm i imi, por i të gjithë banorëve të atij pallati? Si mund të vijë një tjetër e të ndërtojë mbi shtëpitë tona, mbi ç’të drejtë?!”, mësohet të jetë shprehur deputetja Arta Dade.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri sipas burimeve të “GSH” mësohet të ketë thënë se e ka verifikuar dhe personi që ndërton në atë pallat ka leje të rregullt. Por, deputetja Dade sqaroi se nga verifikimet e saj, bëhet fjalë për një leje për shtrim pllakash, që e ka marrë nga Lulzim Basha kur ishte kryetar bashkie, dhe jo leje për ndërtim. Dade mësohet gjithashtu të ketë thënë se banorët i trokasin në derë, si deputete dhe përfaqësuese e popullit që është, por nuk gjen zgjidhje nga institucionet e shtetit.

Më tej, debati ka vijuar edhe më i ashpër, ndërsa Dade i ka thënë Tahirit se “si ka mundësi që mbroni banditë dhe jo një deputet dhe qytetarët e thjeshtë të këtij vendi”. Në këtë moment, Saimir Tahiri është shprehur se as nuk e njeh këtë njeri.

“Ka sponsorizuar, s’ka sponsorizuar, unë nuk e njoh fare atë njeri, por edhe po ta njihja, këtë do të bëja. Kam dhënë prova që nuk pyes për miq e jo miq kur vjen puna te zbatimi i ligjit”, mësohet të jetë shprehur Tahiri, sipas burimeve nga mbledhja e grupit të PS-së.

Në fund, Dade i ka kërkuar leje kryetarit të grupit, Gramoz Ruçi, për të diskutuar dhe denoncuar rastin sot, në seancën parlamentare. 

/portali DurresLajm/