Aktorja shqiptare me famë botërore, Arta Dobroshi, ka fituar çmimin “Shooting Stars 2013”, që ndahet nga një juri e cila formohet nga “European Film Promotion”. Ajo është në mesin e dhjetë aktorëve që, siç thuhet në sajtin e Berlinales – festivali në kuadër të të cilit do të ndahen çmimet – janë yjet që do të prezantohen në edicionin e radhës të festivalit që mbahet në shkurt të 2013-s. Dobroshi, e njohur për rolet e saj në filmat si “Three Worlds” me regji të Catherine Corsini, “Late Bllomeres” nga Julie Gavras, “Baby” nga Danile Mulloy e “Lorna’s Silence” të vëllezërve Jean-Pierre e Luc Dardenne, do ta marrë këtë çmim së bashku me nëntë aktorët e tjerë gjatë ditëve të festivalit, prej 9 deri më 11 shkurt, kur edhe do të mbahet edicioni i 63-të i Berlinales. E, Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila ka nominuar aktoren Dobroshi për këtë çmim, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën kanë qenë prezentë vetëm mediat të cilat i ka ftuar drejtori i QKK-së, Fatos Berisha. Gazeta “Koha Ditore” nuk ka qenë e njoftuar në lidhje me këtë konferencë. Kryesuesi i Bordit Drejtues të QKK-së, Arben Zharku, nuk e ka komentuar qasjen e drejtorit Berisha, i cili në shtator të këtij viti i kishte penguar “Kohën Ditore” dhe KTV-në në përcjelljen e festivalit “PriFest” edhe në premierën e filmit të financuar nga shteti. “Nuk jam i informuar në lidhje me këtë dhe nuk kam koment”, ka thënë Zharku.
E aktorja Dobroshi, pas përfundimit të konferencës, ka thënë për gazetën se ndihet e lumtur për këtë çmim. “Jam shumë e lumtur, sepse një çmim i tillë ka rëndësi të madhe”, ka thënë Dobroshi. Por, sipas saj, më e rëndësishme është për vendin. “Kosovës me këtë çmim i hapen dyert në tregun ndërkombëtar të filmit”, ka thënë ajo nëpërmjet telefonit. Ajo ka pyetur edhe për mungesën e “Kohës…” në konferencë, teksa e ka komentuar me fjalinë “shumë pa lidhje” veprimin e drejtorit të QKK-së, Fatos Berisha, për të seleksionuar mediat. Arta ka treguar se gjatë tri ditëve, prej 9 deri më 11 shkurt, ajo së bashku me kolegët e saj do të prezantohen e do të marrin çmimet. “Do të ketë edhe shumë takime të tjera, sepse ngjarja është goxha e madhe”, ka thënë Dobroshi.
Gazeta ka provuar të kontaktonte edhe drejtorin e QKK-së, për ta pyetur në lidhje me rëndësinë e kësaj ngjarjeje, por ai nuk e ka hapur telefonin. Megjithatë, bazuar në një komunikatë për media të QKK-së me përplot gabime gjuhësore, Berisha citohet të ketë thënë se është i gëzuar dhe krenar për Dobroshin, por edhe, siç thuhet në njoftim, “me faktin që Kosova si anëtare e re e ‘European Film Promotion’, me nominim e parë edhe e fiton atë”. “ Ka shtete që kurrë nuk kanë arritur ta fitojnë”, citohet të ketë thënë Berisha. Dobroshi është përzgjedhur nga një juri e përbërë nga aktorja italiane Alba Rohrwacher, regjisorja boshnjake Jasmila Zhbaniq, producentja Bettina Brokemper, agjentja e kastingut Jina Jay dhe gazetari i filmit në Francë, Thierry Chèze.
Qëllimi i tyre ka qenë përzgjedhja e 10 aktorëve më të mirë të rinj të Evropës. “Unanimisht jemi të impresionuar me këtë gjeneratë të aktorëve evropianë, dhe me nivelin e të nominuarve. Për një gjë jemi të sigurt, zgjedhja jonë do t’u japë fokusin artistëve të vërtetë që e meritojnë këtë”, thuhet në vlerësimin e jurisë. Përveç Arta Dobroshit nga Kosova, 10 aktorët më të mirë të rinj të Evropës për vitin 2013 janë edhe Mikel Boe Folksgaard nga Danimarka, Laura Birn nga Finlanda, Christa Theret nga Franca, Saskia Rosendahl nga Gjermania, Luca Marinelli nga Italia, Ada Condeescu nga Rumania, Jure Henigman nga Sllovenia, Nermina Lukac nga Suedia dhe Carla Juri nga Zvicra. “European Film Promotion” është formuar në vitin 1997 në përbërjen e së cilës janë 34 shtete evropiane, ndërsa programi i saj Shooting Stars – Aktorët më të mirë të rinj evropianë është financuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare.