Kush është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ish-komandanti i RENEA-s u plagos në përballje me terroristin e kërkuar nga SHBA në Tiranë.
10 tetor 2013- Artan Didi, 50 vjeç nga Tepelena, u emërua mbrëmë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.  Qeveria nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, me propozim të ministrit të Brendshëm, liroi nga detyra Hysni Burgajn dhe emëroi kreun e ri të Policisë. Artan Didi, i dalë në lirim që nga viti 2005, kthehet nga SHBA ku jetonte së fundi, për të drejtuar Policinë shqiptare. Në CV-në e tij shënohet një karrierë e gjatë në radhët e Policisë, e nisur në vitin e vështirë 1997. Kreu i ri i Policisë në karrierën e tij ka mbajtur disa funksione drejtuese si drejtues i repartit të forcave speciale RENEA deri në vitin 2000. Ai më pas drejtoi Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për disa muaj, duke u emëruar drejtor i Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit. Këtë detyrë Artan Didi e mbajti deri në vitin 2005, kur doli në lirim me ndërrimin e pushteteve. Pas daljes në reformë, Didi nisi një aktivitet privat, derisa bashkë me familjen e tij fitoi lotarinë amerikane, u pajis me Green Card dhe udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku jetoi deri disa javë më parë. I pajisur edhe me pasaportë amerikane, Didi kohët e fundit jetonte mes Shqipërisë dhe Amerikës. Në karrierën e tij në Polici, ai mbahet mend si komandant i RENEA-s, ku mori pjesë në disa aksione të rrezikshmërisë së lartë. Po në këtë detyrë Didi i shpëtoi një atentati më 24 tetor të vitit 1998, gjatë një aksioni për kapjen e një shtetasi arabo-egjiptian që kërkohej për 25 krime dhe terrorizëm. Artan Didi mbeti i plagosur gjatë aksionit që u zhvillua pranë “Oxhakut” në Tiranë, kur një skuadër e RENEA-s shkoi për të arrestuar shtetasin arab që hapi zjarr ndaj Policisë dhe më pas u fsheh në një lavatriçe, ku mbeti i vrarë. 
OPERACIONI KU U PLAGOS

Operacioni për kapjen e egjiptianit të identifikuar me emrat Muhamed Omar Al-Said apo Salah El-Sajed ishte përballja e parë dhe e vetme me armë zjarri e strukturave të sigurisë kombëtare të Shqipërisë me persona të identifikuar si terroristë islamikë. Dy herë rresht brenda pak ditësh u tentua arrestimi i arabo-egjiptianit, por tentativa e repartit Brisku që u ngarkua fillimisht me këtë detyrë, dështoi. Duke parë rrezikshmërinë dhe lëvizjet spektakolare të egjiptianit të Xhihadit që i shpëtoi arrestimit, drejtuesit e SHIK-ut kërkuan që operacioni të kryhej nga trupat e RENEA-s. Pasditen e 24 tetorit 1998, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hasan Ahmetajt iu kërkua bashkëpunimi për arrestimin e egjiptianit El-Sajed. Duke pasur parasysh rëndësinë dhe rrezikshmërinë e lartë të aksionit, drejtimin e trupave në terren e mori ish-komandanti Artan Didi. Ai përgatiti më shumë se 40 trupa të RENEA-s dhe u nis me urgjencë drejt pikës së kontaktit tek “Oxhaku”. Maskimi që kishte përdorur nuk e shpëtoi këtë herë terroristin e Xhihadit, por ai nuk donte të dorëzohej i gjallë. El-Sajed, i trajnuar në kampet e terrorit të Xhihadit dhe Al Kaedas, ishte kthyer në një ekspert të maskimit. Ai kishte përshtatur një lavatriçe për t’u fshehur, kur policia të hynte në banesë. Lavatriçja nga jashtë dukej në rregull duke të dhënë përshtypjen se ishte në gjendje pune, por nga brenda ishte boshatisur. Egjiptiani arriti t’ua hidhte dhe qenve të gjurmimit, por aparaturat e përgjimit nuk i lanë asnjë shans për të shpëtuar. Ai filloi të qëllonte, por nga reagimi i shpejtë i dy efektivëve të grupit të ndërhyrjes së RENEA-s mbeti i vrarë. Kur qëlloi dy herë, me pistoletën e tij tip “TT” u rrezikua komandanti i RENEA-s, Artan Didi, që shpëtoi mrekullisht edhe pse u plagos rëndë, pasi plumbi e goditi në gjoks dhe i dëmtoi organet. Pas ngjarjeve të 14 shtatorit 1998 në Tiranë dhe trazirave të ndodhura te Kryeministria dhe Televizioni Publik, Artan Didi ishte i pari zyrtar i Policisë së Shtetit, që doli në patrullim në Tiranë me automjetin e Policisë së Shtetit.

http://www.panorama.com.al/2013/10/10/artan-didi-u-perball-me-te-kerkuarin-e-xhihadit-ne-2004/