Teuta e sezonit të ri pretendohet të jetë komplet ndryshe nga ajo që tifozët durrsakë kanë parë në sezonin e shkuar. Teuta do të ribëhet nga e para, pasi disa lojtarë janë larguar dhe kanë nisur bisedimet për t’i zëvendësuar, teksa synimi kryesor është që të rritet edhe cilësia. Qendërmbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi, ka treguar se si e parashikon Teutën e sezonit të ri, kur mbeten më shumë se dy muaj nga fillimi i kampionatit. Mbrojtësi pret një Teutë të fortë, që do të bëjë progres.

Si e prisni Teutën e sezonit të ri pas vështirësive të këtij edicioni, që sapo u mbyll?

Me atë që po shihet, do të jemi një ekip i formatuar nga e para, ndonëse në skuadër ka ende lojtarë, që e njohin njeri-tjetrin. Unë kam besim se shumë shpejt gjërat do të shkojnë në vendin e vet.

Kampionati i ardhshëm pritet mjaft i luftuar, a do të jetë gati Teuta?

Kemi edhe pothuajse dy muaj kohë në dispozicion dhe duhet që t’i shfrytëzojmë mirë deri në startin e sezonit. Mendoj se me fazën që do të bëjmë dhe përkushtimin që do të punojmë, do të jemi një Teutë e fortë.

Çfarë nuk shkoi që Teuta nuk arriti dot në Kupat e Europës?

Ishte një sezon me shumë luhatje, në fillim rrezikuam mbijetesën, e më pas pikët e lëna rrugës na ndikuan në renditjen përfundimtare. Do t’i shohim gjërat me radhë, pasi siç e thashë edhe më lart, do të jemi një ekip i ndërtuar thuajse nga e para dhe nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t’i hedhim hapat me radhë e të sigurt. E megjithatë, unë besoj se ky vit do të jetë tërësisht ndryshe për Teutën. Do të bëjmë progres.

Çfarë objektivash do të ketë Teuta e sezonit të ardhshëm?

Nëse vjen mrekullia, mirë se të vijë, por duhet që të jemi me këmbë në tokë. Shumë pak lojtarë nga grupi i sezonit të kaluar kanë qëndruar, por jemi disa me eksperiencë, që besoj se do ta ndihmojmë ekipin për ecurinë gjatë kampionatit. Në skuadër ka shumë futbollistë të rinj dhe stafi i ri që do të vijë, do t’i implementojë sa më shpejt ato gjëra që kërkojnë. Shpresojmë që të arrijmë të bëjmë një kampionat dinjitoz.

Si e shihni të ardhmen tuaj personalisht?

Mua më pëlqen të bëj akoma më shumë me Teutën, pasi nuk dua të rri me kaq. Ky është profesioni im dhe më bën që të ndihem mirë. Të jesh lojtar i Teutës është përgjegjësi e madhe dhe po mundohem që të përkushtohem maksimalisht te kjo pjesë.