Tiranë, 26 qershor 2014 – Autorët e vrasjes kanë qenë të pajisur jo vetëm me veshje të specializuara dhe kokore me xham të errët, por edhe armatimin e kanë pasur të specializuar dhe që përdoret nga bandat mafioze në Evropë dhe SHBA.
 
Bëhet fjalë për një revolver me mulli, që dyshohet të jetë revolveri P.38, i një kalibri të lartë. Madje është revolveri që ka përdorur edhe kapobanda amerikane Al Kapone, raporton Shqiptarja.com.
 
Sipas hetuesve deri më tani përdorimi i kësaj arme me mulli ka bërë që në vendin e ngjarjes të mos sekuestrohet asnjë gëzhojë, e cila si provë e rëndësishme për policinë shpesh herë të çon dhe tek autorët.
 
Këto detaje duket se janë përllogaritur më së miri nga atentatorët, ku veç kaskave të padukshme, motorit pa targa, xhupave të zinj pas asnjë shenjë dalluese kanë fshehur dhe gëzhoja duke përzgjedhur pistoletën me mulli e cila pas ka lënë vetëm 6 të shtëna dhe viktimën bankierin Artan Santo.
 
Bankieri Santo u ekzekutua orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte, teksa atentatorët e kanë ndjekur atë në çdo hap sapo ka dalë nga banesa deri në drejtim të zyrave të tij pranë “Credins Bank” në kryqëzimin e bllokut midis rrugës Ismail Qemali dhe Ibrahim Rugova.