Tiranë, 29 qershor 2014 – Autori i vrasjes së bankierit Artan Santo mund të jetë femër? Duket e pabesueshme deri diku dhe speculative, por asgjë nuk përjashtohet nga policia e Tiranës, deri në kushtet e zbulimit dhe arrestimit të personit që ka qëlluar mbi biznesmenin Artan Santon.

Pamjet filmike njëherësh dhe fotografitë e nxjerra prej tyre janë analizuar imtësisht, gjatë këtyre netëve hetimore nga ekspertët kriminalistikë të Policisë së Shtetit. Personi i dytë që ndodhet në motor, dhe që ka qëlluar më pas 6 herë në drejtim të Artan Santos, sapo ky i fundit ka zbritur nga makina e tij dhe është drejtuar drejt bankës, ka karakteristikat trupore të një femre, shkruan “Shqiptarja.com”.

Ekspertët e policisë kanë ngritur këtë pikëpyetje, duke u nisur nga masa trupore, dhe fiziku i dobët. Sipas policisë, duke u nisur vetëm nga trupi dhe përshkrimet e dëshmitarëve në vendgjarje ekzekutori i përket një moshe 20 deri në 25-vjeç.

Ndërkohë që atletet që mban të veshura personi i dytë mbi motor kanë ngjyrën karakteristike me atletet që veshin femrat. Një tjetër element që le vend për dyshime është dhe mënyra se si qëndron personi prapa motorit, çka i ka shtyrë hetuesit drejt kësaj piste.

Gjenden dy kokore të ngjashme me ato të atentatorëve të Santos

Dy skafandra të ngjashme me ato që kishin në kokë dy vrasësit e bankierit, Artan Santo janë sekuestruar në një magazinë në Fushë Krujë. Skafandrat e gjetura pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve laboratorike për të gjetur gjurmë të mundshme gishtërinjsh ose gjurmë të tjera.

Kontrolli i policisë u zhvillua dje në një magazinë në Fushë Kuqe, ndërsa në krye të aksionit ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga.

Dy atentatorët pasi kryen vrasjen mëngjesin e së enjtes, u larguan në drejtim të Fushë Krujës, ku edhe më pas humbën gjurmët në vendin e quajtur Ura e Gjolës. Vrasja e tipit mafioz tronditi vendin mëngjesin e së enjtes ku u vra me armë një nga biznesmenët më të suksesshëm në Shqipëri, pronar i një banke si dhe i disa medieve. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/