Nga Dr. Bledar Kurti
Në këtë ditë, më 8 qershor 1504, Davidi i Michelangelo u vendos në sheshin kryesor të Firences.
Skulptura e Davidit ishte një deklaratë mbi sesi njeriu humanist e shihte veten në të nesërmen! Populli e shihte si vrasësin e tiranëve, dhe e gjithë Firence ecte plot vetëbesim drejt një të ardhme madhështore.
Me të mbaruar statuja, Paria e Firences u has me dilemën se ku do e vendosnin atë kolos madhështor. Ajo çështje hapi aq shumë diskutime sa që pati edhe një incident me hedhje gurësh nga disa protestues. Duke qenë republikë, Firence ngriti një komitet. Rreth tridhjetë artistë dhe drejtues civilë u mblodhën për të diskutuar këtë çështje, përfshirë edhe Filippino Lippi, Perugino, Botticelli, dhe sigurisht Leonardo da Vinci. Ata u mblodhën në 25 janar të vitit 1504, në një sallë mbledhjesh pranë Katedrales, dhe morën në konsideratë nëntë vende për vendosjen e statujës, dy prej të cilave u zgjodhën si finaliste. Michelangelo kishte shpresuar që statuja e tij do qëndronte jashtë hyrjes së katedrales tek Piazza del Duomo, por shpejtë kuptoi që do shërbente më mirë si një simbol civil e jo fetar i Firences dhe i shtyu të bindeshin që ta vendosnin tek sheshi përpara Palazzo della Signoria. Giuliano da Sangolla, një nga arkitektët më të mirë të Firences, sikurse edhe skulptor, preferonte një vend poshtë harkut të madh tek Loggia della Signoria, një ndërtesë në cep të sheshit. Ai, bashkë me mbështetësit e tij, argumentuan se duke e strehuar aty Davidin, skulptura do ruante elementet e saj, por ajo zgjidhje e bënte veprën të mos binte në sy, e të ishte më pak dominuese dhe e spikatur. “Do shkojmë ne që ta shohim atë, e jo të vijë figura të na shohë ne,” u shpreh një nga mbështetësit e idesë së vendndodhjes tek Loggia.
Leonardo da Vinci ishte një rival i përbetuar i Michelangelo. Ose më saktë ishte e kundërta. Michelangelo ishte tejet xheloz për mjeshtrin e madh da Vinci i cili me artin e tij kishte dëshmuar se ishte i papërsëritshëm. Por, kjo xhelozi u kthye në drejtim të kundërt kur da Vinci pa Davidin, ndaj nuk është për t’u habitur që Leonardo mbështeste grupin që kërkonte t’a strukë statujën poshtë portikut. Kur erdhi radha e tij për të folur, ai tha, “Pajtohem që duhet të vendoset tek Loggia, por të qëndrojë te parapeti ku varen sixhadetë.” Dukej qartë, që Leonardo preferonte që statuja e Michelangelo të vendosej në një vend ku nuk binte shumë në sy. Por, sikur të mos mjaftonte kaq, Leonardo e vazhdoi fjalën e tij e tha diçka të habitshme. Ai u shpreh se statuja duhej të vishej “me një zbukurim të hijshëm [chon ornamento decente].” Ishte e qartë çfarë nënkuptonte. Michelangelo e kishte gdhendur Davidin në mënyrë të guximshme, tërësisht lakuriq. Leonardo sugjeroi që t’i shtohej një mbulesë e hijshme në mënyrë të atillë që të mos prishë ceremonitë zyrtare.
Michelangelo e fitoi betejën për vendin se ku do vendosej statuja. Davidi i tij u lëviz me rrota për katër ditë, në mënyrë shumë të kujdesshme nga punishtja e tij, dhe u vendos në hyrje të Palazzo della Signoria. Qëndroi aty deri në vitin 1873, e më pas u vendos brenda Galleria dell’Accademia, dhe në vitin 1910 një kopje e statujës u vendos sërish aty kishte qenë, por kësaj here pallati kishte marrë emrin Palazzo Vecchio.
Por Leonardo fitoi me argumentin e tij se “një mbulesë e hijshme” duhej shtuar tek statuja. Një kurorë e stolisur e bërë prej tunxhi, me njëzetë e tetë gjethe bakri, u var tek skulptura, duke e mbuluar lakuriqësinë e Davidit. Mbulesa qëndroi mbi statujën për të paktën dyzetë vjet.
Arti është xheloz.