Aktori i famshëm i “Hollywood”-it, Johnny Depp ka humbur betejën gjyqësore me median britanike “The Sun”, media të cilën e kishte hedhur në gjyq për një artikull që e përshkroi atë si dhunues ndaj ish-gruas së tij, Amber Heard.

57-vjeçari paditi botuesin e tabloidit, News Group Newspapers (NGN) dhe redaktorin ekzekutiv, Dan Wootton, mbi një artikull të vitit 2018. Në shkrimin në fjalë kishte prova se Depp kishte dhunuar ish-gruan e tij.

Ndërsa ditën e sotme, mediat e huaja shkruajnë se gjykatësi hodhi poshtë pretendimin e yllit “Pirates Of the Caribbean”, duke thënë se ajo çfarë është raportuar nga gazeta ishte “thelbësisht e vërtetë”.

Gjithashtu avokati i botuesit të “The Sun”, Sasha Wass QC, argumentoi se “nuk ka dyshim që Depp abuzonte rregullisht dhe sistematikisht me gruan e tij”.

Aktori me famë botërore vazhdimisht ka mohuar akuzat, duke pretenduar se ishte ish-gruaja e tij që ka qenë e dhunshme me të. Nga ana tjetër ky vendim i gjykatës shihet si një fitore e “raundit të parë” për Heard.