Kryetari në detyrë i FRPD Durrës, Artion Barjamaj, ka folur nga podiumi i vendosur përpara Kryeministrisë në protestën e organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Barjamaj u shpreh se sot po proteston për qytetin e Durrësit, i cili sipas tij është betonizuar dhe “pushtuar nga mafia e Vangjush Dakos”.

Ndër të tjera, kreu i FRPD-së foli dhe për banorët e Porto Romanos, të cilët jetojnë nën frikën e shpërthimit të bombolave të gazit.

“Kjo qeveri duhet dridhur nga frika, kam vendosur ta ndërtoj të ardhmen time këtu në Shqipëri, po protestoj për qytetin tim, për Durrësin sepse e ka pushtuar mafia e Vangjush Dakos. Betonizimi i qytetit është bërë në mënyrë skandaloze. unë protestoj për Velierën që është një monstër në mes të qytetit. Po protestoj për banorët e Porto Romanos që jetojnë me frikë nga bombolat e gazit, për rritjen e çmimeve. Është e vështirë të gjesh shpresë në shqipëri por duhet ta rikthejmë, për një të ardhme me të mirë e për jetë dinjitoze. Të ketë meritokraci, të gjithë të bashkuar do ja dalim, fitore!”, tha Barjamaj.