DURRËS, 29 qershor 2013 – “Tring”-u – nga realiteti virtual në atë të vërtetë – kështu drejtuesi i emisionit “Tak-Fak” i platformës televizive digjitale, Kosta Zhonga, aq i dashur për vogëlushët me prirje në vizatim, vjen në qytetin e vet. 

Fëmijë të moshave 6-12 vjeç janë bërë protagonistë të jetës kulturore të qytetit, në një veprimtari të përbashkët ku ata prezantuan arritjet e muajve të fundit në gjininë e pikturës dhe në atë të muzikës.

Veprimtaria e titulluar “Artist Tak-Fak”, si emisioni në “Tring TV”, është ideuar nga drejtuesit e kurseve artistike “Madi”, pianistja Klea Gjezi Zhonga dhe piktori Kosta Zhonga.

Bashkëshortët artistë i thanë kolegut Gëzim Kabashi se vogëlushët kanë punuar prej disa muajsh, duke ndjekur pasionin në zhanre të veçanta.

Sipas organizatorëve, përballja me publikun i bën fëmijët më të sigurt për të ardhmen e zgjedhjes së tyre.

Koncerti i organizuar në “Klubin e artit dhe kulturës” ofroi pjesë të shkurtra muzikore, të interpretuara në piano, kitarë si dhe nga këngëtarë të vegjël lirikë.

Janë më shumë se 20 nxënës të shkollave 9-vjeçare, të cilët ushtrohen në instrumente dhe në kanto, të ndjekur nga pedagogë të specializuar, – shprehet Klea Gjezi, duke shtuar se gjatë edukimit muzikor fëmijët krijojnë një raport të ri me artin në përgjithësi.

Sipas Zhongës, “të gjithë fëmijët janë artistë dhe ekspozita e përgatitur prej tyre gjeti miratimin e prindërve si dhe të bashkëmoshatarëve”.

Ekspozita me 35 panelet e thjeshta, të përgatitura nga 40 piktorë të vegjël, shpesh herë edhe motra e vëllezër, do të rihapet përsëri për publikun në galerinë publike të arteve, ku ato janë ekspozuar prej disa ditësh.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/