Kabul, Afganistan– Trupa të djegur qëndrojnë të shpërndarë në muret me njolla gjaku. Për Afganistanin, e vetmja gjë e pazakonshme në këtë skenë, është se gjaku është bojë e kuqe dhe detaj i një instalacioni artistik. Është vepër e një artisteje afgane 23- vjeçare, që quhet Malina Suliman, e cila rrezikon jetën e saj, nganjëherë edhe duke punuar në errësirë, për të krijuar art në provincën Kandahar, vendin ku ka lindur talibanizmi dhe ende është një nga zonat më të rrezikshme të vendit. Veprat e saj, që radhiten nga arti konceptual te pikturat dhe skulpturat, përfaqësojnë guximshëm problemet me të cilët përballet gjenerata e saj dhe kanë tërhequr vëmendje në Kandahar, duke e bërë të jashtëzakonshme për faktin që vepron në një vend ku gruaja përballet me kufizime më të mëdha sesa në pjesën tjetër të shtetit.
“Shumë njerëz nuk kanë parë asnjëherë instalacion artistik… Disa janë ofenduar dhe të tjerët janë lënduar për shkak se nuk kanë përjetuar diçka të tillë më herët”, ka thënë Suliman. Veprat e saj të fuqishme kanë bërë që presidenti Hamid Karzai, ta ftojë në pallatin e tij në Kabul, ku ajo ka prezantuar artin e saj para liderit afgan, i cili po ashtu është nga Kandahari. Veprat artistike të Sulimanit, tani po shndërrohen në rrymë artistike në kryeqytetin afgan, Kabul, ku ajo jeton që nga fëmijëria qëkur është larguar nga provinca në të cilën ka lindur. Në dhjetor, ajo ka hapur aty dy ekspozita, në të cilat vëmendjen më të madhe e ka marrë skulptura e një gruaje me rroba të gjëra, me një qafore rreth qafës. Një ekspozitë në Kandahar, ku talebanët dhe pleqtë e fiseve dominojnë opinionin publik, ka qenë e para në tri dekadat e fundit. Ajo tërhoqi rreth 100 pjesëmarrës, shumica prej të cilëve meshkuj, duke përfshirë edhe guvernatorin e Kandaharit, Tooryalai Wesa, dhe disa të afërm të Karzait. “Kam mbetur i befasuar nga puna e saj. Kam parë art vetëm jashtë shtetit, por asnjëherë në vend”, kishte thënë Wesa për “Reuters”, pas ekspozitës. “Shpresoj që kjo do t’i nxisë edhe gratë e tjera ta bëjnë të njëjtën gjë”. Suliman ka shpjeguar se vepra e fundit e quajtur “Today’s Life”, reflekton frustrimet e gjeneratës së saj. “Para se të lindë një fëmijë, prindërit mendojnë se një djalë do të mund t’i mbështeste ata e një vajzë do të mund të martohej me një pasanik. Ata nuk ndalen të mendojnë se çka do të dëshironte fëmija”, ka thënë ajo.
Tridhjetë vjet luftë dhe konflikt, duke nisur me invadimi sovjetik i vitit 1979, në mënyrë efektive kanë dërguar në braktisjen e skenës artistike të Afganistanit. Sundimi i rreptë i talebanëve prej vitit 1996-2001, ndaloi artin, duke e deklaruar atë atniislamik. Qëkur grupi islamik u rrëzua nga trupat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para gati njëzet vjetësh, në qytetet afgane është bërë një lloj ringjalljeje e një lëvizjeje artistike, por progresi është i ngadalshëm. Qyteti perëndimor i vendit, Herati, tashmë ka studio arti që i lëshon me qira, derisa Mazar-e-Sharif, në veri, ka një komunitet artistik dhe një skenë të artit publik. Suliman e është energjike dhe me shumë vetëbesim i është bashkuar “Kandahar Fine Art Associacion”, që është hapur rishtas dhe përfshin vetëm meshkuj që kanë për qëllim të mbështesin ekspozitat lokale. Komuniteti i vogël me dhjetë artistë, i ka rënë në sy Ministrisë së Kulturës, që vitin e kaluar e kishte financuar galerinë e Kandaharit, në të cilën ka ekspozuar Suliman. Qëkur i është bashkuar komunitetit, aty kanë ardhur edhe disa femra. Por ende ka rrezik. “Njëra nga frikësimet tona më të mëdha është se njerëzit e kuptojnë gabimisht se ne po krijojmë art për të huajt apo po punojmë me organizata joqeveritare. Njerëzit që punojnë me këto organizata, në Kandahar, vriten pa mëdyshje”, ka thënë ajo. Me gjithë suksesin e saj, Suliman ka marrë shumë telefonata kërcënuese. Kundër ekspozitave të saj janë ngritur shpesh talebanët. Edhe krijimi i veprave të saj, duhet të bëhet larg syrit të publikut. Suliman e ka pasur ekspozitën e parë në Kandahar vitin e kaluar, dhe tani frikësohet që galeria atje do të bombardohet.
“Isha shumë e frikësuar. Sa herë ka pasur mbledhje qeveritarësh mendoja se galeria ishte në shënjestër”, ka thënë ajo. Por, sfida më e madhe që ka Suliman është brenda shtëpisë së saj. “Natën që e kam hapur ekspozitën, familja ime më ka thënë ‘shko dhe mos u kthe më’. Motrat e nëna e saj tani e mbështesin ambicien e pasionin e saj, por vëllezërit dhe babai kanë qëndrime tipike për afganët.