Ish-trupa e estradës, regjisori Haxhi Rama artist i merituar, aktorët Aishe Stari, Roland Koca, artistë të merituar, janë mbledhur brenda pak minutash në hollin e teatrit të Durrësit. Ata që kanë bërë për të qeshur të gjithë popullin shqiptar, sot janë mekur mes lotëve për largimin e shokut e kolegut të tyre.
Landi nuk e beson ndarjen nga jeta të Fadilit, i cili ishte “babai” i trupës së estradës, jo vetëm për nga mosha, por edhe nga profesionalizmi, eksperienca dhe mikpritja që iu kish bërë të gjithë aktorëve të rinj. Ai është një prej aktorëve i cili gjeti derën e hapur dhe Fadil Hasa bashkëpunoi me vite të tëra me të.
Aishe Stari është jo vetëm kolegia e Fadil Hasës, por shoqja e vjetër e gjimnazit. Për Aishe Starin, Fadili është larguar vetëm fizikisht sepse rolet që ka lënë, e kanë bërë të pavdekshëm në memorien e kombit.
Kolegët dhe miqtë e Fadil Hasës janë mekur në lot, ndërsa nga holli i teatrit lajmëronin kolegët e tyre për ndarjen nga jeta të aktorit të humorit durrsak.
Vajzat e Fadil Hasës iu kërkuan kolegëve të babait që të organizonin edhe ceremoninë mortore dhe është vendosur që nesër nga ora 10:00 deri në 11:00 të zhvillohen homazhe në teatrin “Aleksandër Moisiu” për t’i dhënë lamtumirën e fundit kolosit të humorit shqiptar.
Pas një sëmundjeje të rëndë, Artisti i Merituar Fadil Hasa u shua në moshën 78-vjeçare në shtëpinë e tij.
Fadil Hasa hyri në 1974-n në trupën e estradës profesioniste të teatrit “Aleksandër Moisiu” duke shenjuar me qindra role në skenë.
K.H.