Kolegët e teatrit “Aleksandër Moisiu”, por edhe njerëz të artit e kulturës, u nisën paraditen e kësaj të mërkure në drejtim të Tiranës për të marrë pjesë në homazhet për “Nderin e kombit”, Mirush Kabashi, të cilat po mbahen në Muzeun Historik Kombëtar.

Aishe Stari, Sanie Hoti, Haxhi Rama, Xhelal Tafaj, Gjergj Doçi, Qazim Kërtusha etj ishin në mesin e artistëve durrsakë, që do të marrin pjesë në dhënien e lamtumirës së fundit së aktorit të mirënjohur, që aq shumë i dha teatrit dhe kinemasë gjatë angazhimit të tij shumëvjeçar në skenë.

Në shenjë respekti për aktorin, në homazhet që po mbahen në kryeqytet, kanë marrë pjesë artistë të njohur, kolegë të Kabashit, të afërm, dashamirës dhe përfaqësues të politikës shqiptare.

Aktori i madh, Mirush Kabashi u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 75-vjeçare, pas një beteje 3-vjeçare me një sëmundje të rëndë.

Homazhet do të mbahen deri në orën 13.00 në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa më pas arkivoli me trupin e aktorit të mirënjohur do të udhëtojë drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet përfundimisht.