Me rastin e festave të 28-29 nëntorit, në Durrës është zhvilluar një ekspozitë pikture e quajtur “Nëntori në Qytetin Tim”.
Në ekspozitën që u zhvillua në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, morën pjesë 24 fëmijë të grupmoshave 7 deri 15-vjeç.
Kuratorja Alketa Tragaj Myshketa u shpreh se qëllimi i kësaj ekspozite është që fëmijët të njihen më nga afër me heronjtë kombëtarë, me trashëgiminë kulturore si dhe me simbolet e tjera kombëtare.
“Qëllimi i kësaj ekspozite është që fëmijët të njihen më nga afër me heronjtë kombëtarë, me Flamurtarin e Pavarësisë, me simbolet kombëtare, me trashëgiminë kulturore të Durrësit, siç janë kostumet popullore, Muzeu Etnografik i qytetit, Torra Veneciane dhe simbole të tjera që përfaqësojnë historinë e vendit tonë.”, tha kuratorja.
Përsa i përket cilësisë së punimeve artistike nga fëmijët, Tragaj tha se është shumë e kënaqur me punën e tyre.
“Niveli është absolut. Një fëmijë i klasës së katërt, klasës së pestë të marrë përsipër të zhvillojë simbolet historike, siç është helmeta, ose Ismail Qemali është shumë.“- tha ajo.