Një nga emrat më të vlerësuar të artit durrsak, Gavril Priftuli, është përkujtuar në 87-vjetorin e lindjes në aktivitetin “Dialog me Ngjyra” të mbajtur në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Artistë dhe familjarë diskutuan mbi rëndësinë e veprës së tij, trashëgimisë së pasur që ai ka lënë në pikturë, skulpturë dhe mozaik.
Për piktoren Alketa Tragaj, njëherësh dhe drejtoreshë e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Priftuli ka dhënë një kontribut të madh në përgatitjen e brezave të rinj dhe mbetet një figurë që ka prekur të gjitha zhaneret e artit pamor.
“Ajo që spikat më shumë janë pikturat me tematikë që ka zhvilluar. Galeria “Nikolet Vasia” ka plot 45 vepra të piktorit tonë, ku 5 prej tyre janë skulptura. Ka dhe vepra në bashkëpunim me artistin Nikolet Vasia, ku mund të përmendim edhe veprën në hyrje të Mauzoleumit të Dëshmorëve “Çlirimi i Durrësit” etj”, thotë Tragaj.
Gazetari Gëzim Kabashi, thekson rëndësinë e veprave të Gavril Priftulit të cilat nuk ka hezituar t’i përfshijë në shkrimet e tij.
“Ndoshta ka ardhur koha që veprat e tij të analizohen nga njerëz që janë kompetentë, të ekspozohen maksimalisht dhe të marrë një vlerësim që e meriton. Jam i bindur që kjo do t’i bëjë mirë qytetit. Tre artistët Gavril Priftuli, Niolet Vasia dhe Nelo Llukaçi ishin dritat e fundit që fikeshin në qytet dhe kjo e bënte punën e tyre por edhe për ata që qëndronin në studio si unë, një kënaqësi të jashtëzakonshme”, shprehet Kabashi.
Një kontributor të madh në ngritjen e Muzeut Arkeologjik dhe një restautator klas e konsideron skulptori Qazim Kërtusha: “Ka punuar në fushën e restaurimeve. Ka qenë restautaor klas dhe na jepte neve një shembull. Është një nga piktorët e mirë të Shqipërisë, ka ngjyrë, ka transparencë”.