Vëllanë e vranë në kufi e kufomën e shëtitën të hapur lagjeve të Shkodrës. Nuk na lanë të hapnim dyert e mortit. Asnjë ditë nuk mbajtëm zi për të!

Të gjithë e njohim, si aktorin e humorit, të talentuar e popullor, ai që ngjitet në skenë, e na bën të harrojmë hallet e jetës së përditshme. Por askush si ai, nuk e ka provuar brenda lëkurës së tij, se çdo të thotë, të shuash gëlqere në një gropë gëlqereje çdo ditë, të quhesh tradhëtar i atdheut dhe familja armike e popullit, të heqësh kominoshet e punës krejtësisht të bardha e të ngjithesh në skenë për të bërë publikun të qeshë.

Askush si ai, nuk e di çdo të thotë, që për asnjë ditë të vetme  të mos kesh mundësi të vajtosh me zë, e me lot, të mbash zinë e vëllait 25-vjeçar të pushkatuar në kufi, në tentativë për t’u larguar nga vendi i zhytur në mjerim e skamje.

Është aktori shkodran Edmond Halili, i cili ka një peng të madh në jetën e tij. Në 17 gusht vëllai i tij Tristani bën plot 25 vjet që u pushkatua, në moshën 25- vjeçare, në kufirin me Malin e Zi, në tentative për t’u larguar nga vendi dhe që atëherë, nuk ka mundur dot t’i bëjë një varr vëllait. Për asnjë ditë nuk i hapën dyert e mortit, për asnjë ditë nuk u vesh nëna e tij me të zeza, ndërsa kalvari i vuajtjeve të të gjitë familjes ishte i madh, deri në mbërritjen e demokracisë.

Edmond Halili në një rrëfim të parë për jetën e tij, vjen pa maskën e aktorit, por më i sinqertë se kurrë më parë. Me 200 role në skenë dhe një karrierë mbi 40 vjeçare, autori falenderon popullin shkodran, që i ka qëndruar pranë familjes së tij në ditët më errëta.

“Në 17 gusht të 1972 vëllai im tentoi të arratisej jashtë shetit në kufi me ish- Jugosllavinë. Atë ditë ma vranë vëllanë në kufi. E hipën në një makinë zis me sponde të hapur së bashku me shokun e tij të ngushtë, me të cilin tentoi të largohej dhe e kanë shëtit nga fshati Zogaj në të gjithë lagjet e Shkodrës, me trupin të bërë shosh nga plumbat e kallashnikovit. Unë shkojsha nga pas makinës me biçikletë për me pa nëse ishte apo jo vëllai im. E kishin shkatërruar trupin krejt. Kemi 25 vjet që ja kërkojmë trupin e nuk ja gjejmë dot”-tregon aktori, me sytë që herë pas here i mbushen me lot.

Nuk e qanë mbi trupin e tij, por kanë 25 vjet që e qajnë mungesën e vëllait. Babai vdiq e më tha:- “amanet, trupin e djalit, të ma gjesh”. Nëna është 85 vjeçe dhe vetëm një shpreheje di:-“ku është varri i Tristanit? Në si vëllezër nuk kemi lënë gjë pa bërë pa e kërkuar gjithandej, por nuk na e tregojnë. Ata që ishin në degë të brendshme që e shëtitën në makinë të hapur, janë larguar jashtë vendit. Nuk kemi asnjë hakmarrje, por vetëm të na e tregojnë ku e varrosën, t’i bëjmë një varr” -thotë Halili.    

Aktori flet për fillimet e karrierës, për bashkëpunëtorët e tij të shumtë, për jetën post ardhjes së demokracisë, për emocionet që ka marrë në skenë.  

K.H.