DURRES, 16 mars 2013 – U hap sot në galerinë e artit pamor të qytetit të Durrësit “Nikolet Vasia” ekspozita e artistit të njohur durrsak, Ardian Tragaj. E veçanta e kësaj ekspozite ishte fakti se ndryshe nga herët e tjera, autori i 51 tablove të ekspozuara aty, nuk ndodhej mes miqve, kolegëve dhe artdashësve, por pas hekurave të burgut.

Që nga muaji korrik i vitit të kaluar, Ardian Tragaj, është i burgosur pasi akuzohet si një nga autorët e vrasjes së dy shtetasve, ngjarje kjo e regjistruar mesditën e 25 korrikut në Malin e Robit.

Ekspozita e sotme u hap nën kujdesin e Akademisë Europiane të Arteve, anëtar i së cilës është Tragaj, dhe Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit.

Në ekspozitë ishin përfshirë 51 tablo të realizuara para burgimit të Tragaj, por edhe gjatë kohës që ai qëndron pas hekurave. Shpirti i artistit duket se nuk ka rënë në gjumë tek Ardiani, por ai duket se është përshtatur me ambjentin e ri ku ndodhet dhe gjendjen e tij shpirtërore është munduar ta përcjellë edhe tek veprat e punuara aty.

Një njeri i prangosur, i kërrusur më dysh, me gojë të hapur që duket se ulëret është ndoshta autoportreti abstrakt me të cilin Tragaj ka dashur të përcjellë tek artdashësit gjendjen e tij shpirtërore, si një njeri i privuar nga liria.  

Bashkëshortja e tij, Laureta Tragaj, tha për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah” se “hapja e ekspozitës së sotme ishte një dëshirë e vetë Ardianit. Megjithëse ai fizikisht nuk është sot këtu, pranë miqve, kolegëve dhe dashamirësve të tij të shumtë, prania e tyre sot këtu tregon edhe njëherë vlerat që Ardiani ka si artist. Edhe pse prej disa muajsh ndodhet në burg, edhe atje nuk ka reshtur së pikturuari dhe një pjesë e tablove që kam përfshirë në këtë ekspozitë janë bërë në ambientet e burgut”.

Ndërkohë anëtarë të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit gjatë fjalës së tyre para hapjes së ekspozitës nënvizuan talentin artistik të Ardian Tragajt, jo vetëm në fushën e artit pamor, por edhe në letërsi. “Ardiani është një artist i kompletuar,- thanë shumë prej tyre,- dhe një vlerë për qytetin tonë”.

Në hapjen e ekspozitës së Tragajt ishin të pranishëm drejtues të pushtetit vendor dhe atij qendror, deputetë socialistë si dhe shumë njerëz të artit dhe kulturës.

Emri i Ardian Tragajt është bërë i njohur vite më parë në qytetin e Durrësit dhe më gjerë në rrethet artistike si një artist mjaft premtues për të ardhmen. Por mesditën e 25 korrikut të 2012, emri i Tragajt do të lakohej në ngjarjen e rëndë që u regjistrua në një resort tek Shkëmbi i Kavajës, e ku humbën jetën shtetasit Sulejman Shehi dhe Durim Pashalliu. Konflikti i pronësisë mbi një sipërfaqe toke në zonën turistike të komunës së Golemit degjeneroi në vrasje të dyfishtë për të cilën akuzohen Ardian dhe Leonard Tragaj, kushërinj mes tyre.

Nga ana tjetër, një ditë më parë vrasja e Tragajve u lakua sërish në media pas vendosjes së një sasie eksplozivi në makinën e drejtuar nga vëllai i Ardianit, Vilson Tragaj. Fatmirësisht eksplozivi ra nga makina dhe shpërtheu vetëm 1m larg duke mos vënë në rrezik jetën e dy personave që udhëtonin me të.

/l.m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/