Baritoni Gëzim Myshketa na ka bërë krenarë në shumë skena të teatrove europiane dhe botërore ku ka interpretuar.
Ai prej vitesh jeton jashtë Shqipërisë, por këto kohë gjendet në Tiranë, pikërisht për një sfidë të re, ngjitjen e operas “Carmen”, në skenën e Pallatit të Kongreseve, në të cilën Myshketa nuk do të jetë vetëm interpretues por edhe regjisor i shfaqjes.
Myshketa ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku zbuloi detaje rreth operas “Carmen” që pritet të shfaqet më 30 janar.
“Ka mbi një vit e gjysmë që Zana Çela më kortezon. Ne donim një titull që të ishte i famshëm dhe tërheqës dhe pse jo, dëfryes dhe që njerëzit të mendojnë. Zgjodhëm “Carmen” sepse është vepra më popullore. Është përvoja ime e dytë si regjisor dhe vij ta vë në skenë eksperiencën time intensive. Opera ka skena masive dhe është shumë e lodhshme. Ne nuk kemi një teatër dhe duhet ta vendosim në Pallatin e Kongreseve, pavarësisht lodhjes shfaqja të jep një satisfaksion të madh. Në këtë vepër do të jenë të përfshira aktorja Tinka Kurti dhe balerina Ambeta Toromani. Tinka më surprizoi pasi më tha: Nuk e di nëse do ta bëj dot ashtu siç do ti rolin. Ajo është një artiste e madhe dhe artistët e mëdhenj kanë gjithnjë pak dyshim në vetvete. Me Ambetën fillojmë nesër dhe me Tinkën do fillojmë xhirimet e videove. Roli i nënës në Carmen nuk ekziston, por flitet për nënën dhe Tinka është personifikim i nënës shqiptare përmes roleve të saj”,- tha Myshketa.