Artisti i madh durrsak, Haxhi Rama feston sot 77-vjetorin e lindjes. Rama është një nga figurat më të nderuara të artit jo vetëm në Durrës, por në rang vendi.

Haxhi Rama ka lindur më 29 maj 1943 në Durrës, ku kreu dhe shkollën e mesme. Në vitet 1961-1965 kreu studimet në shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” në Tiranë. Që nga viti 1965 kur u emërua në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, e deri në fund të karrierës së tij punoi në këtë institucion si aktor, regjisor dhe libretist i teatrit dhe që nga viti 1986 si regjisor i varietesë.

Në vitin 1975 ka kryer kursin e regjisurës. Ka fituar disa çmime në konkurse kombëtare si për krijimtarinë letrare dhe për aftësitë regjisoriale. Ka shkruar rreth 15 drama e komedi, mbi 100 skeçe, dhjetra tekste këngësh dhe ka vënë në skenë mbi 80 premiera varieteje. Është ftuar dhe ka punuar si autor-regjisor në disa teatro të vendit si Tiranë, Korçë, Elbasan, Berat e Lushnje. Në vitin 2000 i është dhënë titulli “Mjeshtër i Madh” dhe në vitin 2008 Këshilli Bashkiak i qytetit e ka shpallur “Qytetar Nderi i Durrësit”.

Xhixhi nuk pëlqen lëvdata, nuk dëshiron të flasë për veten e tij, i shmanget bisedës teksa bëhet fjalë për të treguar sukseset si regjisor e krijues. Kështu ndodh me artistët. Dalin në skenë, qëndrojnë prapa kuintave, mbyllen me orë e ditë të tëra për të shkruar, argëtojnë të tjerët, japin mesazhe, gëzojnë, kërcejnë, hidhërohen, bëjnë monolog… Dhe askush nuk i sheh.

Megjithatë, kushdo ka mbajtur në majë të gjuhës dhe ka përcjellë gojë më gojë batutat: “Mos më fol, jam në autobus”, “O ti i këshillit!”. Jo të gjithë e dinë se është Haxhi Rama autori i teksteve të këtyre skeçeve, ashtu siç jo të gjithë dinë se ai është personazhi që u ka sjellë aq shumë gëzime në sallat e teatrit e të estradës, në netët e ndërrimit të viteve, në radio e televizion.

Jo të gjithë e dinë se Vaçe Zela pranonte të këndonte, nëse teksti ishte i shkruar nga Haxhi Rama. Jo të gjithë e dinë se Irma Libohova brofi në këmbë spektatorët kur ishte vetëm 10 vjeç dhe se teksti qe shkruar nga Haxhi Rama, ndërkohë që tekstet e tij me kompozim të Agim Krajkës janë kënduar nga Ema Qazimi, Besnik Taraneshi e të tjerë. Haxhi Rama ka botuar dy përmbledhje me krijimtari të tij titulluar “BIS-si një variete” dhe “ BIS Plus-5 komedi + 1”.