Atë e njohin kudo në trevat shqiptare si realizuesi i muraleve me motive patriotike.
Viti që sapo lamë pas ka qenë i ngarkuar me shumë punë për të riun Bledar Çakalli, që pasionin për pikturën dhe krenarinë për historinë shqiptare po i rijetëson nëpër qytetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në dhjetor, ai përmbylli muralen me gjatësi 70 metra në murin e shëtitores që lidh liqenin e Viroit me Gjirokastrën. Figurat e Ismail Qemalit, Gjergj Kastriotit e Çerçiz Topullit dhe patriotëve të tjerë spikasin në sfondin e së kuqes së flamurit.
“Projekti më i veçantë që ai i Gjirokastrës, për shkak të historisë që nis nga 1800 për të shkuar deri më 1912. Janë figura që rinia shqiptare duhet t’i njohë patjetër, sidomos figurat para shpalljes së pavarësisë që kanë nisur kryengritjet nga Janina, në Malësi, Kosovë, gjithandej”,-thotë Çakalli.
2024 do të nisë me një projekt që shtrihet në më shumë se 200 metra gjatësi, tek stadiumi i Dibrës së madhe.

“Mbështetjen nga komuna e Dibrës së madhe e kam pasur. Dera ka qenë e hapur për çdo gjë, ma ka garantuar kryetari i komunës, Hekuran Duka. Është krenari për mua që sot po shkoj në Dibër të madhe. Në projekt do përfshi sërish historinë, figurat kombëtare, traditat dhe vlerat kombëtare që Dibra i ka”.
32-vjeçari me origjinë nga Dibra, që prej vitesh jeton në Durrës nuk e ka pasur të lehtë t’i përkushtohej pasionit të tij. Siç rrëfen dhe vetë për “DurrësLajm”, skepticizmi më i madh i erdhi nga familja.
“Unë se kam pasur mbështetjen e familjes sime. Nëna dhe babai kanë qenë kundër në fillim. Babai im ka qenë minator dhe kur u angazhova si organizator për protestën në Mitrovicë kam pasur një debat shumë të madh për shkak se më thoshte pse duhet të dalësh ti. Ata nuk kanë informacion, që të protestosh është e drejta e çdokujt”.
Përgjatë vitit që lamë pas, Bledari ka realizuar murale kudo nëpër Shqipëri. Flamuri kuq e zi në parkun kombëtar të Llogarasë, muralet tek mbikalimi tek Ura e Dajlanit në Durrës, ato në Himarë, Korçë, Tiranë etj janë vepra që revokojnë historinë dhe patriotët që shpesh kanë dhënë dhe jetën për kauzën shqiptare. Bledari rrëfen një moment kur është ndjerë i kërcënuar, gjatë ditëve të punës në Gjirokastër.
“Nuk isha shumë i sigurt për çfarë po ndodhte, por dyshimet nisën kur i njëjti person shfaqej gjithandej. Zakonisht ndodhte kur isha vetëm, kur isha i shoqëruar nuk shfaqej. Mendoj se ai po mblidhte informacion për mua. Por nuk ndihem i kërcënuar, kur ndodhem në trojet shqiptare”.
Pavarësisht rreziqeve që mbart me vete ky angazhim, 32-vjeçari Bledar Çakalli është i vendosur të vijojë edukimin patriotik të brezit të ri e jo vetëm përmes artit të tij. Mbështetja e madhe e marrë nga shqiptarët nga të gjitha trevat dhe diaspora në Amerikë është një shtysë më shumë për artistin durrsak për të vijuar me projekte të ngjashme.
M.B.





