NEW  YORK, 12 mars 2013– Artisti disident kinez, Ai Weiwei, ka bërë publike planet për realizimin e një albumi heavy-metal, për të cilin ai ka thënë se do të shprehë opinionet e tij, sikurse e bën nëpërmjet artit. Ai, trupmadh e me mjekër, ka qëndruar për 81 ditë në paraburgim në vitin 2011, akt ky i dënuar ndërkombëtarisht dhe që e kishte nxitur të hyjë në botën e muzikës. 

“Kur kam qenë i arrestuar, ata (rojat v.j.) shpesh më kërkonin t’u këndoja ndonjë këngë, por unë turpërohesha, meqë nuk isha shumë i familjarizuar me muzikën”, ka thënë Ai, 55-vjeçar, në një intervistë nëpërmjet telefonit. “Kjo më ndihmonte ta kaloja kohën më lehtë. Por gjithë çka mund të këndoja ishin këngë të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit Kinez”, ka thënë Ai. “Pas kësaj mendova: kur të dal jashtë, do të dëshiroja të bëja diçka që lidhet me muzikën”.

Një gjykatë në shtator kishte shqiptuar gjobë prej 2.4 milionë dollarësh për Ai për evazion fiskal, duke e kërcënuar me burg nëse nuk do ta bënte pagesën. Ai kishte pohuar se akuzat ishin një lloj hakmarrje për kritikat që ia bënte qeverisë. Artisti me renome botërore vazhdimisht ka kritikuar qeverinë për shkeljen e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve. Albumi debutues i Ai, me titull “Divina Commedia”, (sipas poemës së poetit italian Dante) – është një referencë për “Ai God”, që është nofkë që i kanë vënë mbështetësit e tij kinezë artistit. Dy nga këngët i kushtohen aktivistit Chen Guangcheng, i cili kishte ikur nga arresti shtëpiak në prill të vitit të kaluar dhe strehimi i tij i mëvonshëm në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kishte turpëruar Kinën dhe kishte shkaktuar një përleshje diplomatike.

Njëra nga këngët e albumit është titulluar “Hotel Americana”, dhe është një lloj falënderimi për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara që e kishte strehuar Chen. Një tjetër këngë titullohet “Climbing over the Wall”- dhe i dedikohet mënyrës sesi Chen kishte kaluar muret nëpër fshatin e tij për të ikur. Tjetra u kushtohet përdoruesve kinezë i shmangen “Great Firewall of China”, që është një term për faqet e bllokuara të internetit në Kinë. Ai ka thënë se nuk ka qenë i shqetësuar për shkak të persekutimit nga ana e qeverisë për shkak të albumit, i cili do të dalë në treg në tri javët e ardhshme. Por, ai është pesimist lidhur me perspektivën që albumi të shitet edhe në Kinë, derisa ka njoftuar se do ta distribuojë edhe “online” albumin për shkak se në Kinë muzika konsiderohet edhe vështrim subjektiv. Ai ka thënë se koha që ka kaluar në studio duke incizuar nuk nënkupton se e ka larguar nga arti. “Mendoj se është e gjitha e njëjtë. Arti im ka të bëjë me shprehjen e mendimeve dhe me komunikimin”, ka thënë artisti. Ai po ashtu ka thënë se është duke punuar edhe në një album të dytë muzikor, që do të ketë influencime të muzikës pop dhe rock, teksa ka shprehur shpresën që edhe njerëzit do të këndojnë bashkë me të. “E dini, unë jam person i largët nga muzika. Asnjëherë nuk këndoj. Por, do të befasoheni. Do t’ju pëlqejë”, ka përfunduar ai.

Fotolegjenda:  Artisti me renome botërore vazhdimisht ka kritikuar qeverinë për shkeljen e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve. Albumi debutues i Ai, me titull “Divina Commedia” (sipas poemës së poetit italian Dante) – është një referencë për “Ai God”, që është nofkë që i kanë vënë mbështetësit e tij kinezë artistit