Artur Magani ka vendosur të largohet nga Teuta në sezonin e ardhshëm nëse skuadra do të drejtohet nga i ati, Gugash Magani. Presioni dhe paragjykimi i njerëzve ka bërë që 22-vjeçari të marrë këtë vendim. Një javë më parë ishte trajneri peqinase ai që deklaroi se kështu është shumë e vështirë të punohet. Në këtë sezon sulmuesi ka vuajtur për të përsëritur sezonin e parë në Durrës, ku ishte një ndër më të mirët.
“Vitin e ardhshëm nuk do jem pjesë e Teutës, ose më saktë nuk do të jemi të dy, ose ai ose unë. Edhe vjet ishim në një ekip por gjërat shkuan mirë, ndërsa këtë vit nuk kanë shkuar aq mirë për mua dhe presioni ka qenë shumë shumë i madh. Pajtohem me deklaratën e tij”.
Kundër Korabit, 22-vjeçari realizoi golin e tretë sezonal, në krahasim me vjet ka shënuar 6 më pak megjithatë kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar: “Sigurisht që edhe këto tre gola të këtij sezoni i vlerësoj, por jam më shumë i kënaqur me sezonin e vjetshëm. Këtë vit unë dhe të tjerët prisnim që të shënoja më shumë, por nuk u arrit për shumë arsye. Megjithatë iu gëzohem këtyre golave sepse i kanë dhënë pikë ekipit dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Shpresoj në ndeshjet që kanë ngelur të shënoj sa më shumë”.