9 shtator 2015 – Në Durrës e cilësojnë si sezonin e duhur për t’u ringjitur në nivele të larta. 6 pikë të plota ia kanë rritur “adrenalinën” ekipit të drejtuar nga trajneri Gugash Magani. Por ai që mundohet t’i karikojë “djemtë e detit” është pikërisht i biri, Arturi.

Sulmuesi peqinas beson te fitorja edhe në ndeshjen e radhës kundër Kukësit. Lojtari është i bindur se ky sezon do të flasë për durrsakët.

“Mund të them se gjysma e grupit është përbërë nga lojtarë të rinj dhe çdo ditë që kalon është në favorin tonë, pasi njihemi edhe më mirë me njëri-tjetrin. Kukësi është ekip i kalueshëm, edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Është java e tretë e kampionatit, por për të konsoliduar pozitat tona, ne do të synojmë veçse 3-pikëshin. Kështu që e shikoj ndeshje të fortë, por jo për ta bërë dramatike. Ne do të futemi në fushë për të bërë lojën tonë, asgjë më tepër. Kualitetet nuk na mungojnë, edhe dëshira, ndaj pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë, qëllimi ynë do të jetë i njëjtë: fitorja”, deklaron Magani “i vogël”, që përpiqet të ndihmojë të atin edhe në media…

/portali DurresLajm/