Nga Artur Zheji

Kush mendon se KM-ja flet kot, ja fut kot, sepse ai flet për delet e veta që duan të dëgjojnë zërin e Bariut.
Është një KM gojëtar dhe që cicëron si një bilbil gjyzar, duke u bazuar në shumë raste, mbi efektin dhe jo mbi thelbin e gjërave që thotë.

Është bërë si ato plakat e nderuara të Gjirokastrës, apo të Bregut e Vunoit, që ulen në gurët e bardhë para dyerve të shtëpive, që thirren sofate dhe flet e përflet KM-ja, gjithë mëhallën, përflet nderin e përfolur të çupkave dhe djelmve të të gjithë kasabasë…

Në të vërtetë, unë si autor i këtyre rreshtave publike, kam një pjesë të vogël të fajit, në stërvitjen e këtij bilbili gjyzar, që në të ri të vet, ishte përgjithësisht krejt ndrojtësak e fjalëpak, me pamje të rrejshme hutaqi dhe djali të mirë.
Sepse e vija të lexonte dorëshkrimet e Komedive të mia (që i mbiquaja Komedi heroike), dukë përzgjedhur secili nga një personazh, për ti zhdërvjellësuar vëllazërisht komunikimin e ndrojtësakut, që dukej në rrugët e Tiranës, si një UFO gjatosh që çapitej në një mjergull që e paraprinte, ose e ndiqte pas.

Sigurisht, Bilbil Gjyzari, që mburet banaqeve se është më i miri ndër shqiptar në çdo gjë e në çdo fushë, nxënësi pa ndërmjetës i Konicës apo i Fan Nolit, e që nuk ka bërë as edhe një kornizë të thjeshtë druri, për Nolin e zhdukur këso kohe nga Kisha e Janullatosit, apo për Konicën aventurier mendor, sepse ministrja e tij, ministrja e statuseve “fuck them”, nuk ka në 5 vite as edhe një shenjë të egzistencës së saj në kulturën mjerane shqiptare, Bilbil Gjyzari + KM, mendon rrejshëm dhe në jerm, se fjalimet e këngëruara prej tij, janë bukë që haet dhe shëllirë ku ngjyhet kotherja e popullit të skamur.

Ky delir, ky vetëadhurim ka plot vite që zgjat, sepse delet të cilave Bilbili u këndon, nuk dinë se çfarë është rebelimi dhe shkojnë me këmbët e tyre për të kullotur barin që u caktohet, aq sa u caktohet, dhe përsëri me këmbët e tyre shkojnë edhe te kasapi.

Në të vërtetë, periudha e tij, do të jetë një faqe humoristike dhe komike, për brezat që do vijnë, që do të kqyrin periudhën më të gjatë dhe më ekstreme, të Delërimit tonë Kombëtar, përkundrejt Bilbilit Gjyzar, që mohon të nesërmen, atë që mbjell vetë një natë më parë, qoftë kjo planifikim kombëtar për mbjellje me kanabis të të gjthë Shqipërisë, intrigë, maskarallëk apo hakmarrje prej të dehuri, budallallëk, zhvatje, konspiracion, arrogancë, tejkalim kompetencash, dhe mbi të gjitha përqëndrimin më të madh të idiotëve dhe injorantëve për metër katror të oborrit të tij kryeministror.

Kësaj periudhe po i vjen fundi, por jo nga delet, por nga vetë qentë e stanit, që ka përzgjedhur për të ruajtur delet e kombit, të cilët rrezikojnë të hanë Bariun, që të shqyejnë lirisht të gjitha delet e mbetura.

Do mbetemi pa bilbil gjyzar dhe pa një udhëheqës të Pagabueshëm dhe Askurrë fajtor e përgjegjës për asgjë, nisur nga fjalët e tij, që ngjajnë gjithmonë e më shumë dhe nuk gëzohem aspak për këtë gjë, si ato ngjyrat e ylberit që vërehen, në cipën e hollë të fluskave të sapunit që fëmijët fryjnë me kallam.

Tërheqëse nga jashtë dhe bosh, krejt bosh nga brenda.