TIRANE, 23 shtator 2013 – SHBA kërkon luftë ndaj korrupsionit, një këmbanë që e dëgjojmë çdo herë kur flitet për korrupsionin. Por këtë herë Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka qënë specifik në kërkesën e tij duke ia drejtuar atë prokurorisë, dhe duke vënë gishtin mbi gjyqësorin si sektori më i korruptuar. Arvizu u shpreh sot përpara drejtueseve të shtatë njësive rajonale të hetimit Task- Force, se Shqipëria ka një gjyqësor tejet të korruptuar.
“Problemi në Shqipëri është tejet serioz. Sipas “Transparency International”, që është një organizatë e respektuar, gjyqesori ne Shqiperi eshte me pak i besuari. Me shume se 80 per qind e shqiptareve e shohin gjyqesorin si te korruptuar ose tejet te korruptuar”, tha Arvizu.
Ambasadori amerikan tha se korrupsioni në gjyqësor mund të minojë të gjithë sistemin e drejtësisë, e gjithashtu edhe besimin e sigurinë e publikut. Korrupsioni publik do të ndalojë sipërmarrësit të investojnë. Në këtë kuadër Arvizu bëri të ditur se Ambasada ka marrë takime në ditët e fundit me Prokurorin e Përgjithshëm, gjyqtarë të rëndësishëm, ministrin e ri të Drejtësisë dhe atë të Brendshëm, për të diskutuar se si të luftohet ky korrupsion publik. Arvizu ishte i hapur, duke dhënë zgjidhje nëse një prokuror do të gjendet nën presion.
“Diçka që kam mësuar për Shqipërinë është se ajo është një fshat, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Të paktën kështu e kanë thënë, që zyra rajonale mund të ndiejë presion në hetimin e një personi të fuqishëm në atë zonë, por zyra e një njësie tjetër hetimore mund ta referojë atë në një vendodhje tjetër, që është më e lirë nga ajo trysni”, tha Arvizu .
Nga ana e tij Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka kërkuar më shumë angazim të këtyre njësive. “Rezervoj të drejtën të kërkoj prej tyre, atë që me të drejtë kërkon gjithë opinioni publik, më shumë angazhim nga këto struktura, më saktësisht kërkoj maksimumin prej tyre dhe gjatë mandatit tim do të kontrolloj në mënyrë të vazhdueshme rezultatet e tyre konkrete”, tha Llalla.
“Organi i hetimit ka përgjegjësinë më të madhe në luftën kundër korrupsionit dhe sfida e luftës ndaj korrupsionit kërkon bashkëpunim. Kam ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme institucionale ndaj njësive task-forcë në luftën anti-korrupsion. Këto njësi kanë fituar eksperiencat më të mira ndërkombëtare. Kërkoj më shumë angazhim nga njësitë e hetimit dhe do të kontrolloj rezultatet e tyre konkrete”, theksoi Llalla.
Ai theksoi se “nga drejtuesit e Task-Force që lufton korrupsionin kam kërkuar raporte mujore për hetimin e korrupsionit. Këto njësi kanë garanci të plota për një funksionim normal dhe aty do të vijojnë të atashohen prokurorë me eksperiencë për të luftuar me efiçencë korrupsionin”.





