TIRANE- Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit për administrimin e pasurive të konfiskuara, Ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksander Arvizu, theksoi rëndësinë e konfiskimit të pasurive të krimit, për të mos lejuar që kriminelët të përfitojnë nga aktivitetet e paligjshme. 

Sipas ambasadorit Arvizu, 3 janë arsyet kryesore që e bëjnë të domosdoshëm konfiskimin e pasurive.
“Së pari, kriminelët nuk duhet të lejohen të përfitojnë prej krimeve të tyre. Prokurori duhet të bëjë çdo përpjekje për të sekuestruar përfitimet e fituara në mënyrë të paligjshme nga të pandehurit. Së dyti, sekuestrimi i përfitimeve prej krimit ndihmon në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme nga kriminelët. Dhe së treti, kur një qeveri është e aftë të konfiskojë pasuri, atëherë kjo në fund fare shërben për zbatimin e ligjit.”- u shpreh ambasadori amerikan. 

Arvizu deklaroi se nënshkrimi i këtij memorandumi është dëshmi e bashkëpunimit të frytshëm SHBA-Shqipëri. 

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndodhen këtu, sepse ka qenë bashkëpunimi juaj për të realizuar dhe sjellë në realitet këtë memorandum bashkëpunimi. Ky memorandum në thelb përcakton detyrat dhe detyrimet e secilës agjenci për sekuestrimin e pasurive. Ky memorandum kërkon të specifikojë atë që duhet të bëjë çdo agjenci në procesin e konfiskimit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, do doja t’iu zotohem edhe njëherë për mbështetjen tonë të vazhdueshme.”- u shpreh ambasadori Arvizu.