TIRANE, 14 shkurt 2013 – Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, priti sot në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu. Ambasadori Arvizu ka vlerësuar gjatë takimit rolin e Shqipërisë si një partnere aktive në Afganistan.

Lidhur me angazhimin e Shqipërisë në Afganistan në kuadër të NATO-s, Ministri Panariti nënvizoi se qeveria Shqiptare do të vazhdojë të mbetet e angazhuar edhe më tej në dhënien e kontributit e saj në drejtim të proceseve të tranzicionit dhe mbështetjes së Forcës së Sigurisë në Afganistan, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu rreth zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe si dhe për zhvillimet në rajon. Ministri Panariti konfirmoi edhe një herë rolin e qeverisë shqiptare si një faktor stabiliteti dhe sigurie në rajonin tonë.

(m.b./AGJENCIA E LAJMEVE “DYRRAH”)