FIER, 14 qershor 2013 – Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka përsëritur apelin e tij për plotësimin e KQZ-së. Megjithatë, sipas tij kjo duket e vështirë, pasi klasa politike shqiptare nuk është e aftë ta zgjidhë këtë çështje.

“Është vërtet për të ardhur keq që KQZ nuk është plotësisht e konstituar. Kjo në fakt nuk ndihmon në zhvillimin proceseve zgjedhore siç janë skicuar ato për tu zhvilluar. Besoj se nuk është vonë, duhet të ketë një vullnet nga ana e aktorëve politike. Të gjejnë një mënyrë që KQZ-ja të jetë plotësisht e konstituar. Udhëheqësit shqiptarë duket sikur janë të paaftë për ta realizuar këtë”, tha Arvizu, duke siguruar ndërkohë se SHBA do vëzhgojë me vëmendje zgjedhjet e 23 qershorit, ndërsa kë këmbëngulur edhe një herë për lirinë e votës.

Deklaratat e ambasadorit janë bërë nga qyteti i Fierit, ku është takuar me kryebashkiakun Baftjar Zeqo.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Zeqaj i shprehu ambasadorit Arvizu shqetësimin për disa zona të specifikuara si të “nxehta” gjatë fushatës në rrethin e Fierit, probleme këto të njohura ndër vite.

Zeqaj përmendi edhe dhunën e ushtruar ndaj kandidatit të FRD pak ditë më parë në Roskovec, duke e quajtur atë një ngjarje të rëndë, që cenon integritetin e zgjedhjeve dhe shtron udhën, sipas tij, për destabilitet politik në vend.