TIRANE – Gjatë fjalës së tij në konferencën për mbrojtjen e fëmijëve në internet, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu dhe ai i BE-së Ettore Sequi nënvizuan rëndësinë e marrjes së masave të nevojshme për nxitjen e përdorimit të ndërgjegjshëm të internetit nga ana e fëmijëve dhe të rinjve. 

Sipas ambasadorit Arvizu, mbrojtja e fëmijëve në internet përbën një nga sfidat kryesore të avancimit të teknologjisë, përpos përfitimeve që vijnë si rrjedhojë e përdorimit të mjeteve të informimit. 

“Eshtë rritur në mënyrë të gjerë përdorimi i smartphonëve dhe teknologjisë së informacionit. Kjo u lejon fëmijëve për të përfituar nga një edukim online. Ky revolucionarizim i teknologjisë na ka prezantuar të gjithëve me një botë të re. Por avancimi i teknologjisë na ka paraqitur edhe sfida të mëdha. Si pasojë e aksesit të madh në internet, na takon të gjithëve të marrim hapat e nevojshme për të nxitur përdorimin e ndërgjegjshëm të internetit. Duhet të sigurohemi që fëmijët të shfrytëzojnë të gjitha mundësite e pasurimit me informacionin që lejon interneti, por duhet t’i largojmë nga përmbajtje të paligjshme dhe të dëmshme për ta. Janë çështje tëper të rëndësishme për çdo qeveri. Të rrisim filtrimin e programeve në shkolla. Do mbështesim këtë fushatë ndërgjegjësimi dhe të gjithë aktorët e përfshirë.”- deklaroi ambasadori Arvizu. 

Ndërkohë, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi theksoi se interneti i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë është një nga prioritetet e Bashkimin Europian. 

“Interneti mund të jetë një vend shumë i rëndësishëm për fëmijët, ai hap një botë të madhe me shumë mundësi. Fëmijët duhet të kuptojnë çfarë do të thotë privatësia dhe pse kjo është e rëndësishme. Prindërit, gjyshërit, mësuesit duhet të ndihmojnë që fëmijët të përvetësojnë këto aftësi. Fëmijët përdorin rrjetet sociale dhe internetin nëpërmjet celularëve. Këto mundësi sjellin të mira, por gjithashtu përbëjnë sfida të mëdha. Në Europë ne po krijojmë një infrastrukturë për mbrojtjen e fëmijëve, për të rritur sigurinë në internet. Janë marrë masa të cilat janë fleksibël dhe që japin mundësi të ruhet liria e fjalës. Eshtë e rëndësishme të përdoren disa politika të caktuara. Profilet e fëmijëve në rrjetet sociale duhet të kenë masa, në mënyrë që të kenë një kontroll prindëror.”- u shpreh ambasadori Sequi.