TIRANE, 28 qershor 2013 – Ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksander Arvizu zhvilloi mesditën e sotme një takim me kryeministrin në largim Sali Berisha, në selinë e Kryeministrisë. Takimi ka zgjatur disa minuta, ndërsa mësohet se gjatë paradites në Kryeministri ka qenë edhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth.
Burime të medias bëjnë të ditur se këto janë takime lamtumire të dy diplomatëve të lartë, në përfundim të misionit të tyre në vendin tonë. Detaje rreth këtyre takimeve pritet të zbardhen në orët në vazhdim nga zyra e shtypit e Kryeministrisë.
Ambasadori i SHBA-ve në Arvizu, uroi dje fituesit e zgjedhjeve të 23 qershorit, kreun e PS-së, Edi Rama dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta. Gjatë takimeve të veçanta që ai zhvilloi në selitë e PS-së dhe të LSI-së, Arvizu u shpreh për një tranzicion të qetë.
Kreu i PS-së, Edi Rama ishte i pari që priti ambasadorin në selinë e PS-së, rreth orës 11:00. Pas takimit që përfundoi rreth orës 11:45 minuta, ambasadori tha se përcolli në këtë seli 2 mesazhe të fuqishme, që sipas tij ishin dhe arsyet e takimeve.
"Filluam një diskutim të mirë dhe substancial. Dy gjërat që diskutuam ishin që të kemi një tranzicion të lehtë të butë dhe e dyta, arsyeja se përse ndodhemi këtu që të ripohojmë dhe njëherë angazhimin e fortë të SHBA-ve për Shqipërinë. Ky është mesazhi kyç, SHBA-të janë partner i Shqipërisë", – u shpreh shkurt Arvizu, pa pranuar pyetje të tjera nga gazetarët.
Menjëherë më pas, Arvizu u takua me kreun e LSI-së, Ilir Meta, në selinë e LSI-së. Pas takimit ai tha se:
"I vlerësoj shumë komentet e tij dhe i mirëpres ato. E falënderoj që gjeti mundësinë të na presë dhe e falënderoj për kohën që na kushtoi, pasi ai ka pasur një fushatë të lodhshme. Dhe arsyeja pse ndodhemi këtu është që të konfirmojmë të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe mbështetjen për në Bashkimin Europian. Sikurse jemi në pritje për qeverinë e ardhshme, pritshmëritë janë të larta, presim një tranzicion të qetë dhe pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z. Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit", – u shpreh Arvizu pas këtij takimi.





