TIRANË, 27 qershor 2013 – Kreu i prezencës së SHBA-së i akredituar në vendin tonë, Aleksandër Arvizu zhvillon takime të ndarë me dy liderët e koalicionit fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Kreu i PS-së, Edi Rama ishte i pari qe priti ambasadorin në selinë e PS-së, rreth orës 11:00.
Pas takimit që përfundoi rreth orës 11:45 minuta, ambasadori tha se përcolli në këtë seli 2 mesazhe të fuqishme, që sipas tij ishin dhe arsyet e takimeve.
“Filluam një diskutim të mirë dhe substancial. Dy gjërat që diskutuam ishin që të kemi një tranzicion të lehtë të butë dhe e dyta, arsyeja se përse ndodhemi këtu që të ripohojmë dhe njëherë angazhimin e fortë të SHBA për Shqipërinë. Ky është mesazhi kyc, SHBA-të janë partner i Shqipërisë”, u shpreh shkurt Arvizu pa pranuar pyetje të tjera nga gazetarët.
Ndërkohë, pas takimit me Ramën, Arvizu iu drejtua selisë së LSI-së (rreth orës12:00) ku zhvilloi një takim me Ilir Metën.
“E falënderoj që gjeti mundësinë që gjeti të na prese dhe e falënderoj për kohën që na kushtoi. Dhe arsyeja pse ndodhemi këtu është që të konfirmojmë të ardhmen e Shqipërisë. Sikurse janë në pritje për qeverinë e ardhshme, pritjet janë të larta, pritet një tranzicion i qetë dhe pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit”, u shpreh Arvizu pas këtij takimi që përfundoi rreth orës 12:30 minuta.
Nga ana e tij kreu i LSI garantoi se Shqipëria do të vijojë marrëdhëniet e mira me SHBA dhe konsensusin e gjerë me qëllim, realizimin e reformave.
Vizita e ambasadorit amerikan vjen pas takimit që ai pati dje me kryeministrin e vendit Sali Berisha i cili dje deklaroi se pranon verdiktin e zgjedhjeve, dhe mban gjithë përgjegjësinë e humbjes.





