Tiranë, 28 shkurt 2014 – Të enjten në darkë, në studion e emisionit “Opinion”, ambasadori amerikan Alexander Arvizu ka deklaruar se fjalën “tritol” e ka mësuar në Shqipëri. Gjatë bisedës me gazetarin Blendi Fevziu, Arvizu ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e rendit në vend dhe numrin e madh të atentateve, që kohët e fundit kanë troditur opinionin publik.
“Sigurisht që ne jemi të shqetësuar. Kam mësuar dhe fjalën ‘tritol’. Më parë nuk ia dija kuptimin, por tani e di. Kjo është sigurisht diçka që na shqetëson, që shqetëson qeverinë. Mendoj se është diçka që duhet të shqetësojë çdo qytetar shqiptar”- deklaroi Arvizu. Në të njëjtën kohë ai tha se një ndër shkaqet e situatës së rëndë janë edhe emërimet e reja në Policinë e Shtetit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





