TIRANË – "Shtypi në Shqipëri është vërtet i hapur dhe dinamik, por nevojitet një rrugë e gjatë për të thënë dhe pohuar se është i pavarur", deklaroi të martën ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e prezantimit të Shoqatës së Gazetarëve për Drejtësi(SHGD). 

Duke vlerësuar nismën e krijimit të kësaj shoqate, me mbështetjen e USAID-t, Arvizu tha se ajo i shërben qytetarëve për të ngritur zërin bashkarisht dhe inkurajuar të tjerë që të bëhen pjesë e së ardhmes së Shqipërisë. 

"Nisma juaj për të ngritur shoqatën e gazetarëve investigativë është shumë mbresëlënëse dhe dëshira juaj për të mbajtur një faqe të pavarur interneti është shumë e rëndësishme. Media e pavarur investigative luan rol në ushqimin e qytetarëve të informuar", tha ai. 

Duke nënvizuar se secili ka të drejtë të japë opinionin e tij, Arvizu shprehu shqetësim për atë që e cilësoi "gjuha e urrejtjes që vihet re përmes gazetarëve në Shqipëri". 

"Gjithsecili ka të drejtë të japë opinionin e tij. Por, disa persona kanë opinione shumë të forta. Gjuha e urrejtjes dhe sulmet personale nuk kanë rol të rëndësishëm në përparimin e demokracisë së Shqipërisë", theksoi ambasadori amerikan në Tiranë. 

PREZANTOHET SHOQATA E GAZETARËVE PËR DREJTËSI

Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi, (SHGD) dhe portali i ri i pavarur në internet për gazetarinë investigative, dy projekte të mbështetura nga USAID, u prezantuan të martën në një ceremoni të organizuar në Hotel "Tirana International". 

Kryetarja e SHGD-së, Kristina Fidhi, tha se misioni i kësaj shoqate është të promovojë lirinë e shprehjes, të mbrojë dhe të avokojë për të drejtat dhe liritë e gazetarëve, të nxisë reagimin e tyre ndaj cënimeve të lirisë së shprehjes dhe të inkurajojë aktivizimin civil kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut, standardeve të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës, si dhe të shërbejë si monitoruese e antikorrupsionit nëpërmjet përmasës së saj investigative. 

Programi për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri JuST, i mbështetur nga USAID, në partneritet me SHGD-në, u angazhuan në krijimin e një faqeje virtuale investigative. 
Kjo media e re shërben si një platformë interaktive me qytetarët shqiptarë, të cilët mund të gjejnë në të informata të besueshme dhe të dokumentuara në lidhje me qeverinë e tyre, të komentojnë punën e saj, si dhe të sugjerojnë kërkime dhe histori, të cilat ata do të donin të shihnin të raportohen. 

Tashmë, në faqen e re të internetit për gazetarinë investigative të menaxhuar nga Shoqata (www.investigim.al), gjenden pesë artikuj investigativë. Kjo faqe ofron mundësi botimi për të gjithë ata gazetarë investigativë dhe cilëtdo, që kanë një histori të dokumentuar mirë, të drejtë dhe të saktë. 

SHGD përbëhet nga një grup prej 16 gazetarësh të rinj, me pasion gazetarinë investigative dhe është e hapur ndaj të gjithë gazetarëve profesionistë, si dhe studentëve të gazetarisë dhe komunikimit. 
Shoqata lindi si iniciativë e pjesëmarrësve në një seri trajnimesh mbi gazetarinë investigative dhe pasqyrimin në media të punës së gjyqësorit, të zhvilluara në vitin 2012 nga USAID, përmes Programit JuST. 

JuST është një projekt pesëvjeçar, i filluar në tetor 2010, i cili synon rritjen e transparencës, paanshmërisë dhe efektshmërisë në gjykata, konsolidimin e rolit mbikqyrës dhe antikorrupsion të organizatave të shoqërisë civile dhe medias, si dhe forcimin e arsimimit juridik dhe avokatisë në Shqipëri.