TIRANE, 22 qershor 2013 – Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Tiranë, kanë përcjellë nga një mesazh të shkurtër për politikën dhe qytetarët shqiptarë një ditë para zgjedhjeve.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u kërkon shqiptarëve që të marrin pjesë në votime dhe të ushtrojnë vullnetin e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e Parlamentit të Ri.

Përmes një  video – mesazhi që vjen në kuadër të një vjetorit të nismës “ACT Now!”, Ambasadori Arvizu shprehet se: “Ideja kryesore e kësaj nisme është nxitja e një komunikimi më të mirë midis qytetarëve dhe udhëheqësve të zgjedhur prej tyre, për të mirën e vendit, dhe për të mirën e të gjithë shqiptarëve.”

“Më 23 Qershor, shqiptarët në mbarë vendin do t’iu drejtohen kutive të votimit dhe do të angazhohen realisht në aktin më të rëndësishëm të nismës “ACT Now!”, që është të shprehurit e rolit të tyre, dhe dhënia e votës së tyre për zgjedhjen e udhëheqësve të ardhshëm. Dhe unë ju them… VEPRONI TANI”. 

Ndërkaq ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, përmes një postimi në “Twitter’, është shprehur “Të punojmë së bashku për zgjedhje të mira, për të ardhmen europiane të Shqipërisë. “