Arsenio Valport nuk është më një futbollist i Teutës. Sulmuesi holandez, i cili u afrua me bujë gjatë merkatos së verës, ka ndërprerë bashkëpunimin me durrsakët dhe në mënyrë të pabesueshme është gati të firmosë me një tjetër skuadër në elitën e futbollit shqiptar.

Mësohet se në klubin bregdetar kanë mbetur të pakënaqur me formën sportive të lojtarit që afruan në mesin e muajit të shkuar dhe kjo ishte arsyeja pse atij nuk i dhanë minuta as në ndeshjet europiane e as në Superkupë. Stafi teknik e ka cilësuar vazhdimin e bashkëpunimit me Valport të panevojshëm e për këtë arsye, është ndërprerë marrëveshja me sulmuesin 29-vjeçar.

Megjithatë, ky i fundit nuk do të largohet nga Shqipëria, pasi ka tashmë një akord parimor me Egnatian dhe pritet që së shpejti të zyrtarizohet si blerja më e re e skuadrës rrogozhinase, në një nga lëvizjet më të çuditshme të merkatos së verës në Superiore.