Ndërkohë që një grup mjekësh ndodhen në një takim në Kryeministri, një pjesë tjetër kanë protestuar jashtë ambienteve të QSUT.

Mjekët dhe infermierët kanë mbajtur një protestë të heshtur një orëshe tek Urgjenca e QSUT-së, duke braktisur punën siç kishin paralajmëruar, për realizimin e kërkesave të tyre.

Dr. Ibrahim Ruka kirurg në QSUT tha për mediat që sindikata u mashtrua pasi as kryeministri Edi Rama as ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nuk kanë pranuar takimin me përfaqësinë e mjekëve.

“Sot sapo morëm lajmin që dhe kryeministri dhe ministrja nuk kanë pranuar të takohen me përfaqësinë e sindikatës por kanë lënë këshilltarët në dispozicion të tyre. Ky është një mashtrim i madh që i kanë bërë sindikatës dje. Besoj që do mblidhet këshilli koordinativ dhe do vendosë për më tutje. Sot është një orëshe protesta më pas do merret vendim nga këshilli”, deklaroi kirurgu Ruka për News24.