Hekurudha shqiptare është në kolaps total. Sindikalistët paralajmërojnë bllokimin e punës në portin e Durrësit.

Punëtorët nuk kanë marrë pagën, ndërsa prej tre muajsh nuk u paguhen as siguracionet.

Osman Meta, kreu i sindikatës së Hekurudhës, deklaroi se është indiferenca qeveritare që ia ka prerë të gjitha burimet ekonomike të punës në hekurudhë.

Sot, theksoi Meta, trenat nuk mund të hyjnë në portin e Durrësit, nuk mund të hyjnë në fabrikën e çimentos të Fushë-Krujës, nuk shkojnë në Pogradec, në një kohë që hekurudha vetë është debitore prej më shumë se 2 miliardë lekësh të papaguara ndaj vlerës së naftës dhe subjekteve të treta.

Sindikalistët kërkojnë zgjidhje emergjente nga Qeveria Shqiptare, në rast të kundërt paralajmërojnë bllokimin e të gjithë kamionëve që hyjnë në portin e Durrësit. Punonjësit do të qëndrojnë pranë Urës së Dajlanit, duke bllokuar kamionët që hyjnë e dalin nga porti, ashtu siç po bllokohet të hyjë treni në portin e Durrësit, pohuan sindikalistët. 

K.H.