NJU JORK – Një ditë më parë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me konsensus projekt-rezolutën A/67/L14/Rev1, me titull "Bashkëpunimi midis Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës”, e cila u paraqit për miratim nga delegacioni shqiptar, në cilësinë e Presidencës së radhës së Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Sipas deklaratës zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Rezoluta e miratuar përbën një sukses të spikatur të diplomacisë shqiptare, një tregues të rolit aktiv të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare.

 "Rezoluta sjell një gjuhë të përmirësuar në tërësi, si dhe përfshin për herë të parë një sërë elementësh të rëndësishëm në fushën e të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, si referencat për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, lirinë e medias, të drejtën për jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale etj., të cilat përbëjnë aspekte parësore të aktivitetit të Këshillit të Evropës si organizata pararojë në nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor",- thuhet në njoftimin zyrtar.

Rezoluta u bashkësponsorizua nga 45 vende anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe nga disa vende të tjera vëzhguese të Organizatës.