TIRANË, 5 korrik 2013 -Partia Socialiste mblodhi sot paradite Asamblenë Kombëtare të saj ku fjalën përshëndetëse e ka mbajtur kreu dhe kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama qe percolli sot një sërë apelesh per deputetet e rinj që hyjnë në parlament dhe per ata që do te krijojne qeverine e re. 

Gjatë fjalës së tij me këtë rast, kreu i PS-së, Edi Rama, vuri në dukje përgjegjësitë që dalin nga fitorja e 23 qershorit. Është detyrë e jona, tha Rama, që çdo premtim që bëmë me fjalë, ta kthejmë në vepra. 

“Ky nuk është mandat i radhës për një qeveri të radhës, por ky është një mandat që na vendos para 2 mundësish. Ose të bëjmë histori ose të ndëshkohemi pas 4 vjetësh në mënyrë historike. Na duhet reformë tërësore në sundimin ligjit dhe riorganizimi sistemit të territorit si pasuri kombëtare dhe publike por dhe si shprehje e gjithë interesave private dhe të parasë publike”. 

Kreu i PS theksoi se rezultati i thellë i fitores në këtë 23 Qershor është më shumë se votë për të ndryshuar qeverinë. Sipas Ramës, kjo fitore është përgjegjësi e madhe që i vihet PS dhe për të përsosur veten. 

“Askush prej nesh nuk e priste këtë rezultat, të gjithë besonin tek fitorja, por askush nuk e mendonte se fitorja do të ishte kaq e thellë dhe se shqiptarët do na besonin një përgjegjësi kaq të madhe. Kjo fitore është shumë e qartë në thelbin dhe këndvështrimin e vet se nuk është një votë thjesht për të ndryshuar qeverinë, është një votë për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë dhe këtu shqiptarët na kanë vënë përballë një sfide jashtëzakonisht të madhe. Duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo votë nuk është për përsosmërinë tonë por është një votë që na kërkon të përsosim më tej partinë tonë. Kundërshtarët tanë na kanë lënë një libër shumë të çmuar ku janë rreshtuar dhe nënvizuar në 8 vite rresht të gjitha gabimet që ne nuk duhet të përsërisim e zhgënjejmë popullin shqiptar” 

Rama kërkoi që të krijohet një model i ri ndryshe nga kundërshtarët që përfunduan në gjykimin e publikut. 

“Të krijojmë një model të ri dhe jo të përfundojmë në gjykimin e publikut sic përfunduan kundërshtarët tanë. Kemi krijuar një frymë të re shprese dhe kemi përballë një sfidë ku kemi një realitet ku ka nevojë për ndryshim”. 

Dhe njëherë Rama u kujtoi të vetëve se nuk duhet të harrojnë kurrë se u zgjodhën nga populli dhe duhet të vihen në shërbim jo vetëm të atyre që votuan PS, por dhe të personave që votuan kundër së majtës. 

“Të mos harrojmë që na kanë votuar 1 milionë shqiptarë dhe në këtë masë duhet të vlerësojmë më të zotët dhe të vlerësojmë cdo zotësi dhe për ata që nuk na kanë votuar nëse duam që të ngremë një shtet të besueshëm dhe rruga për integrim të përshpejtohet”. 
 

NDARJA E MANDATEVE NGA POSTI MINISTROR, RAMA KY MODELI I RI QË DUHET

Rama u kërkoi sot deputetëve në Asamblenë e PS që të krijohet një model i ri ndryshe nga kundërshtarët që përfunduan në gjykimin e publikut. 

“Të krijojmë një model të ri dhe jo të përfundojmë në gjykimin e publikut sic përfunduan kundërshtarët tanë. Kemi krijuar një frymë të re shprese dhe kemi përballë një sfidë ku kemi një realitet ku ka nevojë për ndryshim”. 

Në këtë pikë Kreu i PS-së, Rama vlerësoi si gjënë më pozitive ndarjen e mandatit të deputetit nga ai i ministrit, duke premtuar se shqiptarët do të kenë një model të ri të ministrit dhe të deputetit të maxhorancës. 

“Kemi marrë një vendim për të ndarë mandatin e deputetit nga ai i ministrave. Kjo është një zgjedhje e drejtë dhe vendosja në punë e një qeverie ku çdo ministër të ketë përgjegjësi individuale për ecurinë e çdo sektori dhe trupa parlamentare të ketë përgjegjësinë kolegjiale dhe individuale për të ballafaquar ecurinë e punëve të qeverisjes do na japë një raport të ri forcash në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët, është e domosdoshme të ndryshojmë modelin e ministrit dhe deputetit të shumicës në këtë vend”- tha Rama.